E Shtunë, 31 Tetor 2026

Targat false, bllokohen 39 makina të trafikuara

Për katër ditë, policia dërgon në rrjetën e saj 39 mjete të trafikuara, 10 me dokumente false, si edhe gjobit rëndë 380 mjete me mangësi në dokumentacion. Operacioni i koduar "Targë e falsifikuar", që është shtrirë në të gjithë vendin, ka konsistuar në kontrollin, verifikimin, procedimin, bllokimin dhe sekuestrimin e automjeteve me targa të huaja që qarkullonin në gjithë territorin e vendit dhe që dyshohen se mund të jenë të trafikuara, të futura ilegalisht në Shqipëri, apo qarkullojnë me dokumentacion të parregullt ose të falsifikuar. Operacioni është zhvilluar duke koordinuar veprimet edhe me struktura të tjera shtetërore, si me drejtoritë rajonale të doganave, drejtoritë rajonale të shërbimit të transportit rrugor etj. Si rezultat i këtij operacioni, nga shërbimet e ngritura në shkallë vendi janë kontrolluar dhe janë kryer verifikimet përkatëse për rreth 2700 automjete, nga të cilat 1600 automjete të kontrolluara kanë qenë me targa të huaja. Automjetet me targa të huaja janë verifikuar nëpërmjet sistemit TIMS, nëse janë të regjistruara në kufirin shqiptar, nëse vërtetimi i hyrjes është lëshuar në mënyrë të rregullt, nëse kanë dokumentacionin e duhur për qarkullim dhe qarkullojnë brenda afateve të përcaktuara në legjislacionin shqiptar, si edhe nëse janë të vjedhura, të trafikuara, apo me mangësi të tjera ligjore. Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS për hyrje-daljet e automjeteve me targa të huaja janë evidentuar 47 raste të qarkullimit në territorin shqiptar të automjeteve me targa të huaja, të cilat nuk figurojnë të regjistruara në kufirin shqiptar. Këto automjete janë bllokuar dhe janë kryer verifikimet nëse janë të trafikuara, apo me shmangie të detyrimeve doganore ose shkelje të tjera ligjore. Janë sekuestruar 39 automjete, të cilat kanë rezultuar të trafikuara në vendin tonë. Sipas të dhënave, 22 u sekuestruan në Tiranë, 5 në Durrës, 2 në Gjirokastër, 4 në Fier, 2 në Shkodër, 2 në Kukës, 1 në Vlorë dhe 1 në Elbasan. Gjithashtu, janë bllokuar 10 automjete me dokumentacion të falsifikuar, për të cilat janë kryer veprimet procedurale për veprën penale të "falsifikimit të formularëve, stampave dhe vulave". Ndërkaq, në shkallë vendi janë kapur 380 automjete me mangësi në dokumentacion dhe nga strukturat e qarkullimit rrugor janë bërë verifikimet dhe janë marrë masat përkatëse administrative.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›