Në gjurmët e Aliut, nga Turqia në Greqi
Gjurmët e fundit të Indrit Aliut ishin gjetur në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës, më 16 mars 2009, tri ditë pas denoncimeve të para ndaj tij në policinë e Tiranës. Për shkak se denoncimet po verifikoheshin, policia ende nuk e kishte shpallur në kërkim biznesmenin e dyshuar, i cili edhe pse kishte vjedhur me mashtrim rreth 4 milionë euro, arriti të largohej i qetë nga Shqipëria. Duke iu referuar të dhënave, që janë konfirmuar me prova, organi i akuzës thotë se arratisja e 16 marsit 2009 ka qenë lëvizja e fundit e Indrit Aliut. Tashmë, burimet nga hetimi thonë se ai mund të ketë lëvizur edhe më vonë, duke përdorur dokumente false, në emër të Sokol Shehut, i cili rezulton të ketë kaluar kufirin po në muajin mars. Fillimisht i kërkuari për vjedhjen e 4 milionë eurove u dyshua se kishte ikur në Turqi, ndërsa më pas itinerari i hetimeve u kthye për në Greqi. "Viktimat" e të akuzuarit si "supermashtrues", siç duket, pasi janë vënë në dijeni të hetimeve, kanë nxituar të denoncojnë në polici dhe prokurori episodet e detyrimeve financiare që Indrit Aliu ka ndaj tyre. Megjithatë, arratisja e biznesmenit nga Vlora jashtë Shqipërisë duket se i ka bërë të pamundura veprimet e mëtejshme të organeve ligjore, që janë detyruar të kufizohen vetëm në dokumentimin e "bëmave" të biznesmenit fiktiv.