E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka dhe K. Ronaldo kthehen në Tiranë

Ardhja e Realit të Madridit në Tiranë për miqësoren e 21 dhjetorit do të bëjë që dy prej yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror të kthehen në Shqipëri. Bëhet fjalë për Kaka dhe Kristiano Ronaldo. Braziliani ka luajtur në "Qemal Stafa" më 12 maj të këtij viti, kur Milani luajti me Kombëtaren "B" në edicionin e dytë të trofeut "Taçi Oil Albania Reads". Kaka u aktivizua si zëvendësues në takimin që përfundoi me rezultatin 3-3, por dha dy asiste për gol dhe shënoi nga pika e 11-metërshit, duke kontribuuar në fitoren 5-4 të Milanit me penallti. Ai nuk luajti në edicionin e parë të këtij trofeu të humbur 2-1 me Tiranën, më 14 tetorit 2008, për shkak dëmtimi. Në anën tjetër, Kristiano Ronaldo (por edhe mbrojtësi Pepe) kthehet në Shqipëri pas sfidës së 6 qershorit, që Portugalia fitoi 2-1 me Kombëtaren kuqezi. Në atë fitore dramatike, e cila u hapi luzitanëve rrugën drejt kualifikimit në Botërorin 2010, ish-mesfushori i Mançester Junajtid luajti përgjatë gjithë 90-minutëshit. Yjet e Realit, që do të shkelin për herë të parë në vendin tonë, janë Raul, Iker Kasiljas, Benzema, Ksabi Alonso, Serxho Ramos e shumë të tjerë.

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›