E Shtunë, 31 Tetor 2026

I arrestuari tenton të varë veten në komisariat

Një 21-vjeçar i arrestuar për vjedhje ka tentuar t‘i japë fund jetës në dhomat e paraburgimit, por është vënë re nga efektivët rojë, të cilët i kanë shpëtuar jetën. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e Komisariatit Nr. 2 në kryeqytet, kur Vehap Kapaj ka tentuar të varë veten. Menjëherë kanë nisur hetimet edhe nga SHKB-ja për këtë rast flagrant. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se rreth orës 16.30, nga salla operative e Drejtorisë së Policisë së Tiranës është njoftuar se një ngjarje e rëndë kishte ndodhur në ambientet e Komisariatit Nr. 2, që ndodhet te "21 Dhjetori". Efektivët kanë lajmëruar kolegët e tyre se Vehap Kapaj, 21 vjeç, i cili ishte i arrestuar për vjedhje dhe ndodhej në dhomat e paraburgimit, ka tentuar t‘i japë fund jetës me varje. Ai ka marrë batanijen e krevatit që kishte për të fjetur gjatë natës, e ka grisur me forcë dhe duke përdorur një rrip të saj, e ka lidhur në tavan dhe në fyt. Ka hipur mbi krevat duke e shtrënguar mirë dhe është hedhur për të kaluar në gjendje të lirë, që t‘i merrej fryma dhe t‘i jepte fund jetës. Aty e kanë vënë re policët rojë dhe menjëherë kanë ndërhyrë, duke i shpëtuar jetën. 21-vjeçari është dërguar me urgjencë në spital, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sapo janë kryer këto veprime, në vendin e ngjarjes kanë shkuar oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që kanë nisur hetimet për këtë rast. Më vonë, oficerët kanë marrë në pyetje edhe të dëmtuarin në lidhje me shkaqet që e kishin çuar drejt këtij akti. Nga burimet e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, mësohet se ai ka deklaruar për policinë se e kishte kryer këtë veprim nga turpi që kishte qenë edhe më parë i dënuar për vjedhje dhe nuk e pranonte akuzën e ngritur ndaj tij. Ai deklaronte se ishte liruar me kusht dhe tashmë kishte frikë se do e dënonin më shumë dhe këmbëngulte se nuk e ka kryer këtë vjedhje. Megjithatë, nga të dhënat e prokurorisë rezulton se ai është autor i vjedhjeve dhe kjo çështje është dokumentuar me prova shkencore.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›