Furtunë ndryshimesh në Policinë e Shkodrës, ja emrat
SHKODËR – Pas ndryshimeve të bëra në disa qarqe të policive në rrethe, si në Durrës, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër, i vjen radha edhe Shkodrës. Strukturat drejtuese të këtij qarku janë përfshirë dje nga një tjetër valë ndryshimesh të krerëve e saj, motive të të cilave nuk u konfirmuan zyrtarisht. Zyrtarisht u bë e ditur se me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, emërohet me detyrë zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Policisë Shkodër, kryekomisar Artan Bajram Hasani. Deri dje Hasani ka qenë më detyrë më parë si specialist në Sektorin e Luftës Kundër Akteve Terroriste pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërkohë është komanduar dhe Komisar Kastriot Stefhasani, si shef i Komisariatit të Policisë së Shkodrës. Ish-drejtori i Policisë së qarkut të Shkodrës, Ahmet Prençi, i cili sot drejton Policinë e Shtetit ka komanduar Hasanin, i cili deri dje ishte shefi i Seksionit të Rendit dhe Sigurisë Publike në këtë komisariat. Gjatë dy muajve të fundit janë bërë ndryshime rrënjësore në strukturat e policisë në rrethe. Në Durrës, Berat, Fier, Elbasan dhe Gjirokastër janë qarkulluar thuajse të gjithë kuadrot e lartë. Ministria e Brendshme i ka motivuar këto lëvizje si qarkullime rutinë në kuadër të luftës kundër krimit.
SHKURT
Denoncuan zhdukjen e vajzës në Tropojë, gjendet në Tiranë
TROPOJË - Një 18-vjeçare e zhdukur prej disa ditësh nga shtëpia e saj në Bajram Curri u gjet mbrëmjen e së enjtes nga policia e Tiranës. Zëdhënësja e Drejtorisë së policisë së Qarkut të Kukësit, Irena Kroi, tha se pas denoncimit nga familja e vajzës dhe pas tri ditë kërkimesh, forcat e Komisariatit të Policisë së Kukësit, në bashkëpunim me policinë e Tiranës, arritën të ndalojnë 18-vjeçaren, për të cilën bëhen të ditura vetëm inicialet, Z.K. Sipas zëdhënëses, 18-vjeçarja ka pohuar në polici se ishte larguar nga shtëpia me dëshirën e saj, por nuk ka thënë se cilat ishin motivet që e shtynë të ndërmerrte këtë hap.
Vidhen në Kukës 300 karta rimbushëse të telefonisë celulare
KUKËS – Pre e grabitjes ka rënë një lokal në qytetin e Kukësit ku njoftohet zyrtarisht se mbrëmjen e së enjtes janë vjedhur mbi 300 karta rimbushëse të telefonisë celulare Vodafone dhe AMC. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se kjo ngjarje u denoncua nga pronari i lokalit, Hakik Kovaçi dhe pas kësaj policia filloi hetimet për identifikimin e grabitësit. Të njëjtat burime saktësuan se janë shoqëruar në polici disa qytetarë të cilët po pyeten në lidhje me këtë ngjarje. Në tre muajt e fundit, në Kukës janë vjedhur 6 lokale private, po për këto ende nuk ka ndonjë të ndaluar.
U shpëton policëve në port, kapet brenda në traget
DURRËS – Ngjashmëria me një djalë tjetër afërsisht moshatar me të, është shfrytëzuar nga një 21-vjeçar i cili i ka “përlarë” pasaportën dhe është nisur për në Itali. Por kur ka arritur vetëm pak metra larg portës së tragetit brenda Portit të Durrësit, është zbuluar dhe është arrestuar në flagrancë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit shprehen se kanë ndaluar shtetasin Adriatik Spahiu, lindur në Kukës e banues në Vorë, rreth orës 23:55 të ditës së enjte. “I riu është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë së Portit Durrës, duke tentuar të kalojë kufirin në mënyrë të paligjshme për në Itali me tragetin e linjës Durrës-Ankona, me një pasaportë shqiptare me gjeneralitete të një shtetasi tjetër, duke shfrytëzuar ngjashmërinë me të”, - tha zyrtarisht policia.
Kërcënoi një shtetas, nisin hetime në gjendje të lirë
DURRËS – Një shantazh që i ka bërë bashkëqytetarit të tij është bërë shkas që të hetohet nga policia. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit Fatmir Dauti, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 8 të qytetit bregdetar. Sipas tyre, 33-vjeçari Dauti, mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 18:30, në lagjen ku banon, ka kanosur për jetë për motive të dobëta shtetasin G. K. Materialet e para hetimore për veprën penale të kanosjes iu kaluan për veprime të mëtejshme prokurorisë së rrethit Durrës.
27 Shtator 2008