Arrestohet polici i burgut të Krujës
TIRANE - Një punonjës i Policisë së Burgut të Fushë-Krujës është arrestuar pasditen e djeshme nga shërbimet e Komisariatit Nr. 3 të Policisë së Tiranës, pasi ka qëlluar 3 herë në ajër me pistoletën e shërbimit. Burime nga policia thanë se i arrestuari është Fatmir Aliaj dhe mësohet se ka qëlluar me armën e shërbimit pas një grindje me një person tjetër në një lokal në afërsi të Stacionit të Trenit në kryeqytet. Mësohet se Aliaj në momentin e ngjarjes ishte në gjendje të dehur, duke qenë se kishte konsumuar pije alkoolike. Në ambientet e një lokali ai ka debatuar me një person tjetër, për motive të paqarta dhe më pas ka dalë jashtë ambienteve të lokalit duke qëlluar në ajër me pistoletë. Krismat e armës janë dëgjuar nga një patrullë policie që është nisur menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes duke njoftuar edhe shërbimet e Komisariatit nr. 3. Brenda pak minutash, Aliaj, polic i trupës së shoqërimit në sigurinë e lartë, në burgun e Fushë-Krujës, është ndaluar nga forcat e policisë dhe i është sekuestruar arma. Burime nga policia thanë se ende nuk është bërë ndonjë kallëzim, nga personi, që është shofer i një fugoni që bën linjën Durrës-Tiranë, me të cilin është grindur polici i burgut para se të qëllonte në ajër, për të vendosur nëse ai mund të akuzohet për kanosje apo jo. Ende nuk është përcaktuar nëse të shtënat kanë qenë në formën e kërcënimit me personin me të cilin ka debatuar në lokal Fatmir Aliaj. Ndërsa drejtori i burgut të Fushë-Krujës, Sajmir Mulgeci, i kontaktuar nga gazeta, u shpreh se është vënë në dijeni për ngjarjen, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga policia. Në momentin e parë që të njoftohet zyrtarisht për veprimin e punonjësit të burgut, Fatmir Aliaj, drejtori Mulgeci u shpreh se do të firmosë largimin e tij nga puna, si punonjës i policisë së burgut. Sipas tij sido që të vendoset për hetimin e tij, hetim në gjendje të lirë, apo masë arresti, largimi i Aliajt nga puna është i sigurt. Policia tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur tri gëzhoja fishekësh pistolete, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Ndërsa për ngjarjen është vënë në dijeni menjëherë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.