E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat “bllokojnë” listën e barnave

 Ministria e Financave kthen mbrapsht listën e rimbursimit të barnave për vitin 2010. Specialistët e këtij dikasteri, pasi kanë shqyrtuar skemën e re kanë arritur në konkluzionin se lista është tepër e shtrenjtë. Kjo si pasojë edhe e rritjes së kursit të euros. Këtë argument ata ia kanë rikthyer edhe njëherë Ministrisë së Shëndetësisë, duke i kërkuar të ulin shpenzimet. Por nga ana tjetër, lista e rimbursimit është thuajse e njëjtë me atë të një viti më parë dhe nuk i janë shtuar ilaçe të reja me kosto të lartë për pacientët. Gjithçka e pohojnë për gazetën burime të sigurta nga Ministria e Financave. Kështu brenda këtyre ditëve pritet të mblidhet sërish Komisioni i Hartimit dhe Miratimit të listës, për të diskutuar mbi këtë çështje. Nga ana tjetër, burime nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë me dije se kanë nisur negociatat mes dy dikastereve për të mos reduktuar barnat në skemë.  Madje është kërkuar gjetje e fondeve alternative për të përballuar listën e 2010-s. Duket se problemet e krizës, rritja e çmimit të euros dhe moskontrolli i lëvizjeve të shpeshta të kësaj monedhe, kanë bërë që financat të mendohen gjatë për sa i takon llogaritjes së çmimit të tregtimit të barnave. Komisioni i Hartimit u mundua të ruajë balancat, çka bëri që lista të mbetej në të njëjtat standarde me një vit më parë. Shoqata e Grosistëve dhe përfaqësues të ISKSH-së ranë dakord që çmimi me të cilën do të llogaritej tregtimi i barnave do të ishte sipas raportimit të kursit mesatar të këmbimit nga Banka e Shqipërisë. Shpenzimet e rimbursimit të barnave për vitin 2010 të arrijnë në rreth 20.55 për qind të totalit të shpenzimeve të ISKSH-së për vitin 2010. Në këto përllogaritje janë marrë parasysh: efekti i ndryshimeve të çmimeve për vitin 2010 dhe kursi i këmbimit me rreth 382 milionë lekë. Lista aktuale e rimbursimit ka 377 barna, nga të cilat përfitojnë kryesisht të sëmurët kronikë ku grupi më i madh i përket pensionistëve. Gjithashtu një sërë barnash i marrin falas fëmijët apo kategori të sëmurësh që janë përfshirë në skemë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›