Një libër mbi Sociologjinë e së Drejtës
Shtëpia botuese “Naimi”, në bashkëpunim me universitetin “Justiniani I”, publikon një libër mbi Sociologjinë e së Drejtës, një shkencë relativisht e re, shkencë e periudhës post moderne të historisë botërore. “Sociologjia e së Drejtës” me autor Dr. Fatmir Zanaj është jo vetëm teksti i parë mbi sociologjinë e së drejtës që botohet në vendin tonë, por edhe në drejtim të një konceptimi më të gjerë të domosdoshmërisë së pjesëmarrjes se shkencave te tjera, sidomos atyre sociale, në trajtimin dhe studimin e jurisprudencës”, shkruan në parathënie të librit Prof. dr. Luan Gjonçaj, dekan i fakulteti në universitetin “Justiniani I”, Tiranë. Autori ka shfrytëzuar një literaturë të pasur, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e dijes sociologjike mbi të drejtën në vendet perëndimore dhe përzgjedhur autorët më të rëndësishëm, shkollat më përfaqësuese të mendimit filozofik e sociologjik mbi të drejtën, si dhe duke ballafaquar botime nga më përfaqësueset në vite, me ato më të fundit nga universitetet me traditë të SHBA dhe të Evropës. Në librin “Sociologjia e së drejtës” bëhen përpjekje për të integruar edhe rezultatet e studimeve të autorëve shqiptarë të fushave të së drejtës dhe të kriminologjisë.