Plaku firmos për Tiranën
Leonard KarajPlaku ka firmosur për Tiranën, ndërsa Vioresin Sinani është përfundimisht një futbollist i Besës së Kavajës. Ka marrë fund telenovela “Plaku”. Sulmuesi ka firmosur për skuadrën bardheblu një kontratë e cila e lidh atë për 6 muajt e ardhshëm. Sipas burimeve jozyrtare, Tirana i ka blerë kartonin e Plakut Dinamos për 30 mijë euro. Duke parë ngurimin e Migen Memellit, i cili është një hap larg largimit nga kampionati shqiptar (destinacioni ende jo i qartë, Kinë, Izrael), klubi i Tiranës ka optuar për Plakun i cili nga ana e tij po kërkonte një skuadër përderisa u la i lirë nga Dinamo, skuadër tek e cila ai erdhi një vit më parë si futbollist totalisht i saj (më parë sulmuesi luajti disa muaj për Dinamon por si i huazuar nga Ham-Kam i Norvegjisë). Me këtë blerje Tirana duket se ka zgjidhur përfundimisht repartin e saj të sulmit përderisa ka në dispozicion tashmë plot 6 lojtarë të tillë (Memellin, Plakun, Mukën, Hajdarin, Malindin dhe Abilaliajn). Ndërkohë në kahun tjetër, në Kavajë sulmuesi shkodran Viroresin Sinani më në fund ka vendosur të firmosë kontratën e tij. Ditën e djeshme ai është paraqitur në ambjentet e klubit verdhezi i shoqëruar edhe nga presidenti Nexhat Bizhdili. Kështu Vioresin Sinani është goditja e parë dhe e vetme deri më tani në merkaton e janarit nga ana e presidentit kavajas. Megjithëse parimisht sulmuesi dhe presidenti Bizhdili kishin rënë parimisht dakort për kalimin e tij tek Besa, kjo gjë ka vonuar pasi ai ka pasur edhe një ofertë nga ekipi i Tiranës. Por në fund Sinani ka vendosur që t’i bashkohet Besës duke u joshur nga shuma që ofroi presidenti kavajas dhe gjithashtu objektivat ambiciozë të këtij ekipi si në kupë ashtu edhe në kampionat. Sinani është lojtari i dytë i ardhur tek Besa gjatë merkatos së janarit, ndërkohë që pak ditë më parë ishte portieri i Partizanit, Edvin Bakaj ai që kaloi tek ekipi kavajas.Menjëherë pas prezantimit dhe nënshkrimit të kontratës Sinani ka dalë në stërvitje me ekipin e Besës. Ai i është bashkuar grupit dhe është vënë nën urdhrat e trajnerit Duro që nga dita e djeshme. Në seancën e djeshme është vërejtur një formë e mirë fizike e sulmuesit shkodran, megjithatë në ditët në vazhdim ashtu si i gjithë ekipi ai do të kryejë fazën përgatitore.