E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe-Bushati-Shehu, “për gjueti” talentesh në Greqi

 Nga data 18 deri më 20, trajnerët e Kombëtarëve U-21 dhe U-19, Artan Bushati dhe Ramadan Shehu, do të zhvillojnë stërvitje me talentet shqiptarë që gjenden në vendin fqinj, përkatësisht të datëlindjeve 1991-1992 dhe 1993-1994. Grumbullimin në Greqi do ta ndjekë edhe trajneri i Kombëtares A, kroati Josip Kuzhe. “Kemi ndryshuar sistemin e zbulimit dhe seleksionimit të lojtarëve kandidatë për ekipin Kombëtar U-21. Më parë, gjithmonë kishim zhvilluar zbore në data fikse në Shqipëri, në fillim të muajit janar, me lojtarë që vinin nga jashtë. Tani e bëmë më të udhës që të shkojmë drejt tyre, pasi në një farë mënyre minimizojmë edhe shpenzimet, por dhe nga ana jonë kemi bindjen se do të gjejmë lojtarë më cilësorë atje. Të njëjtën gjë si në Greqi, do të bëjmë shumë shpejt edhe në Itali, e më pas edhe në Gjermani, atje ku ndodhet edhe zyra e tretë e talenteve të organizuar nga federata jonë. Ende nuk janë fiksuar se data, por është e programuar që deri në përfundim të muajit mars të përfundojnë grumbullimet e seleksionimet”, thekson Bushati për mediat. Shumë lojtarë aktualë janë në përfundim të limitit të lejuar të moshës dhe trajneri Bushati është në kërkim të fytyrave të reja. “Shpresoj të gjej lojtarë interesantë që të na shërbejnë edhe neve në të ardhmen, por sita e seleksionimit do të jetë shumë serioze”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›