E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjisori amerikan, audicione me shqiptarë

 Pasi përfundoi audicionet nëpër Shqipëri, ai do të vazhdojë kërkimin edhe në Kosovë e Maqedoni. Joshua Martson regjisori dhe skenaristi amerikan i filmit “Maria full of Grace”, zhvillon një audicion në Kosovë për një film të ri mbi temën e gjakmarrjes. Skenari mban firmën e Joshua Martson dhe Andamion Murataj. Pas audicionit në Shqipëri, ai do të zhvillojë një audicion në Kosovë e më tej në Shkup, duke u dhënë mundësi edhe atyre që nuk janë angazhuar më parë në projekte të tjera filmike. Për rolet kryesore të filmit, i cili do të xhirohet në veri të Shqipërisë në periudhën prill-maj 2010, stafi krijues ka marrë në audicion mbi 1200 adoleshentë nga shkollat e zonës së Shkodrës. Ngjarjet ndodhin në një familje në veri të Shqipërisë, e cila duhet të jetojë në izolim, pasi një debat për pronën, ku ishte i përfshirë burri i shtëpisë, ka përfunduar në vrasje. Filmi fokusohet në eksperiencat e jetesës në izolim dhe në mënyrën se si ato ndikojnë në familje. Skenari është bazuar në intervista dhe kërkime të drejtpërdrejta, të kryera nga regjisori Martson dhe Murataj, nëpërmjet të cilave ata dëgjuan qindra histori familjesh të ngujuara, ndërmjetësish, mësuesish, nxënësish etj. Audicioni në Kosovë do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar më 22 dhe 23 janar, ku do të provohen aktorë të moshave 38-55 vjeç për meshkuj dhe 32-50 vjeç për femra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›