Pedofilët, 35 vjet burg e “non grata” në Shqipëri
Armand BajramiGjykata e Tiranës deklaroi fajtorë dje dhe dënoi me 35 vjet burg ne total dy britanikët Dino Kristodoulou dhe Robin Arnold, të akuzuar për abuzime seksuale me të mitur në qendrën “Fëmijët e tij”.Togat e zeza deklaruan në vendim shpalljen e të akuzuarve si persona të padëshirueshëm në Shqipëri pas përfundimit të dënimit. Vendimi u prit me nervozizëm nga dy të pandehurit në kafazin e sallës së gjyqit, njëri prej të cilëve u largua nga seanca në mënyrë demonstrative. Pak më parë, dy të pandehurit, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare të mbrojtjes pretenduan para gjykatës se ishin të pafajshëm dhe që nuk kishin lidhje me akuzat e ngritura ndaj tyre nga Prokuroria. Procesi ndaj dy britanikëve në gjykatën e Tiranës zgjati pothuajse dy vjet dhe të pandehurit ishin pranë kufijve kohorë të skadimit të afateve të paraburgimit.VENDIMIFytyrat e dy të pandehurve paraqisnin entuziazëm dje, vetëm pak çaste para se gjykata të shpallte vendimin, një entuziazëm që u shndërrua sakaq në vrer kur togat e zeza dhanë verdiktin përfundimtar. “Gjykata, bazuar në të gjitha provat e paraqitura nga palët në gjykim vendos të shpallë fajtorë dy të pandehurit për veprën penale të ‘kryerjes së marrëdhënieve seksuale dhe homoseksuale me të mitur’”, lexoi në dispozitivin e vendimit kryesuesja e gjykimit, gjyqtarja Shefkie Demiraj. Referuar vendimit, gjykata dënoi me 20 vjet heqje lirie të pandehurin Dino Kristodulou dhe me 15 vjet heqje lirie të pandehurin Robin Arnold. Veç dënimit me burg, gjykata i deklaroi dy britanikët persona “non grata” në Shqipëri, çka do të thotë që pas përfundimit të dënimit ata do të përjashtohen nga territori i vendit tonë. Kryesueses së seancës, iu desh të ndërpriste dje për pak sekonda shpalljen e vendimit, pasi i pandehuri Kristodoulou “shpërtheu” në akuza drejt gjykatës. Duke artikuluar në shqip “shume keq” dhe në anglisht “gjykatë e korruptuar” ai u largua në mënyrë demonstrative nga qelia e sallës së gjyqit. Jo më pak i ashpër ishte edhe reagimi i të pandehurit tjetër, i cili në përfundim të shpalljes së vendimit tha me zë “ky është krim!”.Një seancë më parë, në fazën e konkluzioneve të akuzës, prokuroria kërkoi dënimin me 22 vjet burg për Dino Kristodoulou dhe 17 vjet për Robin Arnold.ABUZIMI SEKSUALGreko-anlgezi Dino Kristodoulou dhe skocezi Robin Arnold u arrestuan në Britani për llogari të drejtësisë shqiptare pas skandalit të pedofilisë në qendrën “Fëmijët e tij” në Tiranë. Ata ishin paraqitur si vullnetarë në këtë qendër, ashtu si edhe drejtuesi i kësaj qendre David Broën i cili është duke vuajtur dënimin me 20 vjet burg. Sipas prokurorisë, ata kishin abuzuar me 9 fëmijë të mitur të qendrës bamirëse, fëmijë që varionin në mosha nga 6 deri në 9 vjeç. Pas ekstradimit të tyre në Shqipëri në maj të vitit 2008, ata u vunë nën akuzë për “marrëdhënie seksuale dhe homoseksuale me të mitur”.