Shkëndija elektrike djeg nënstacionin dhe një banesë
Brenda 24 orëve janë shkrumbuar një nënstacion elektrik në Prrenjas dhe një banesë në rrethin e Shkodrës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare. Nga hetimet e para rezulton se shkak në të dyja ngjarjet kanë qenë luhatjet e tensionit në linjat e furnizimit me energji. “Zjarri që përfshiu të mërkurën në mëngjes sallën e komandimit të nënstacionit elektrik në Bashkinë e Prrenjasit (Elbasan) rezulton të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike”, - ky është versioni zyrtar i grupit hetimor lidhur me zjarrin që shkrumboi sallën e komandimit të nënstacionit të Prrenjasit, me pasojë edhe ndërprerjen e energjisë për banorët e kësaj zone. Drejtori i filialit të KESH-it në qarkun e Elbasanit, Merxhan Leka, tha: “Energjia elektrike është rikthyer në orën 15:00 të ditës së djeshme pas ndërhyrjes së brigadës së avarive”. Zjarri dogji kabllot elektrikë të kësaj salle, të cilat sipas drejtorit Leka u zëvendësuan brenda 5 orëve. Ndërsa të martën në mbrëmje, një banesë private në rrethin e Shkodrës është djegur së bashku me të gjitha orenditë që ndodheshin brenda. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së Shkodrës thanë se banesa në pronësi të kryefamiljarit Esat Ara ka pësuar dëme të mëdha materiale. Megjithë mbërritjen e shpejtë në vendngjarje të zjarrfikësve të Shkodrës, flakët e zjarrit kanë shkrumbuar gjithçka. Sipas policisë, nga këqyrja dhe veprimet hetimore në vendin e ngjarjes rezulton se shkak i rënies së zjarrit në këtë banesë ka qenë energjia elektrike.
27 Mars 2008