Vllaznisë i mjafton Sinani për të arritur vendin e parë
Kapiteni shkodran, Vioresin Sinani, ka bërë të mundur që kuqeblutë të dalin me kokën lart nga fusha e blertë e “Loro Boriçit”, në përballjen e djeshme me Bylisin. Vllaznia ka arritur të marrë me shpirt ndër dhëmbë një fitore minimale 1-0, që ka vlejtur shumë pas asaj humbjeje të një jave më parë në Vlorë. Ashtu si një javë më parë, ekipi shkodran nuk ka arritur të tregojë ndonjë ndryshim në lojën e tij. Megjithatë, ajo që ka mbyllur gjithçka në këtë përballje ka qenë fitorja. E vetmja gjë që ka kënaqur edhe drejtuesit e ekipit kuqeblu. Fillimi i pjesës së parë të takimit ka qenë i vakët dhe pa raste konkrete në portat respektive. E para mundësi e krijuar nga të dyja palët u ka takuar kuqebluve, të cilët falë aftësisë në goditje të sulmuesit të tyre, Vioresin Sinani, janë shpërblyer me gol. Ka qenë një goditje e lirë, që është ekzekutuar mjeshtërisht nga kapiteni dhe topi ka përfunduar në rrjetë. 1-0, kur minuta e takimit ishte vetëm e 18-ta. Ajo që pritej pas këtij goli ishte “furtuna” shkodrane mbi miqtë. Mirëpo, një gjë e tillë nuk u ndje fare gjatë gjithë lojës. Madje në minutën e 23-të miqtë kanë tundur rrjetën e portës shkodrane, por gjyqtari ka anuluar golin për pozicion jashtë loje. Ka qenë një goditje e ekzekutuar nga Hodo, grushtuar nga Grima dhe Neves ka shtyrë topin drejt rrjetës, por pozicioni i tij ka qenë jashtë loje. Kjo duket se ka qetësuar situatën në kampin shkodran, që ka kërkuar më pas të shohë drejt portës mike. Vllaznia me vështirësi ka arritur të marrë një fitore minimale, që gjithsesi quhet fitore. Ndërkohë që dje Sinani ka shënuar golin e tretë të tij në këto 5 javë, duke barazuar kështu me të njëjtin numër golash lojtarin tjetër të Vllaznisë, Paulin Dhëmbi.