Prishtina “kundër” GNK-së:Kufijtë s’mund të ndryshohen
Qeveria në Prishtinë ka hedhur rreziqet e paralajmëruara në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, sipas të cilit Mitrovica në veri po shkon drejt ndarjes në vija etnike.
Në raport u paralajmërua se problemi i qytetit të ndarë të Mitrovicës mund të shkaktojë efekte politike në Ballkan, që kanë të bëjnë me rivënien e kufijve në vija etnike. Por autoritetet në Prishtinë e hedhin poshtë mundësinë e një reaksioni të tillë zinxhir, që më tepër, siç janë shprehur edhe më parë, ata nuk e pranojnë ndarjen e territorit të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe i njohur ndërkombëtarisht dhe se për të shtrirë autoritetin në veri, do të punohet intensivisht me prezencën ndërkombëtare në vend. “Eshtë diçka e thënë që tetë vjet radhazi, por kjo nuk do të ndodhë. Ne jemi të përcaktuar që të punojmë fuqishëm me të gjithë miqtë ndërkombëtarë, me administratën civile, por edhe me autoritetet e NATO-s. Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i njohur, i pranuar dhe i pacenueshëm”, theksoi Thaçi. Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi u shpreh i bindur, se njohja e pavarësisë së Kosovës nga shtetet më të fuqishme të arenës ndërkombëtare, do të ndihmojë në shtrirjen e autoritetit të institucioneve vendore edhe në pjesën veriore të Kosovës. “Ne jemi të bindur se çështja e Kosovës, me njohjen ndërkombëtare dhe me shtimin e njohjes ndërkombëtare në kufijtë ekzistues, do të bëjë që dalëngadalë të shtrihet ndikimi dhe pushteti në çdo cep të Kosovës dhe ndarja sigurisht që nuk është opsion i yni”, tha Krasniqi. Në raport janë drejtuar kritika edhe për misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe paqartësinë për funksionin e tyre. Edhe Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë e ka kundërshtuar raportin që drejton kritika në një mori fushash. Sipas saj, në Kosovë mund të flitet vetëm për progres në shumë fusha. Zëdhënësja e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Verena Ringler, sqaroi se, “ne shohim hapa konkretë progresi në terren. Kemi parë hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, kemi parë progres në procesin e demarkacionit. Ne po përparojmë në baza ditore, duke e këshilluar qeverinë në zbatimin e planit gjithëpërfshirës për statusin dhe ka progres të vazhdueshëm në procesin e decentralizimit dhe në shumë fusha të tjera”. Pjesa më e madhe e problematikës që ngriti GNK kishin të bënin me raportin ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në vend, si dhe me ndikimin e Beogradit zyrtar në zhvillimet politike në Kosovë dhe lidhur me Kosovën.