E Diel, 1 Nëntor 2026

Morava, 6 muaj më parë divorci

 

Fatos Mahmutaj

Zyhdi Morava, ish-kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve, i arrestuar tre ditë më parë në Itali me 9 kilogramë kokainë, është divorcuar nga bashkëshortja pak muaj më parë në Gjykatën e Tiranës. Vendimi i firmosur nga gjyqtarja Fiqirete Mullaj, dhe sekretare Eranda Hysi, është divorci i dytë për Moravën, i cili ka zhvilluar një proces të njëjtë në vitin 1992. Menjëherë pas kthimit në Tiranë pas internimeve të kohës së komunizmit, Morava ka pasur probleme në marrëdhëniet me bashkëshorten, çka solli divorcin e tyre. Pak muaj më vonë Morava do të martohej me një tjetër grua, 23 vjeçe më të vogël, me të cilën ka lindur edhe një vajzë, aktualisht 14 vjeçe. Gjykata e Tiranës në vendimin e pak muajve më parë pohon se ishte shkrimtari Morava, që ka kërkuar divorcin me bashkëshorten, i cili i ishte drejtuar gjykatës nëpërmjet padisë me objekt: “Zgjidhjen e martesës me të paditurën A. Morava, lënien e fëmijës për rritje dhe edukim të paditurës, caktimin e detyrimit për ushqim dhe të drejtën e takimit”. Sipas gjykatës, çifti Morava kishin celebruar martesën ligjore më 31 tetor 1994, fakt i konfirmuar nga certifikata e martesës lëshuar nga Gjendja Civile e Komunës Kashar, Tiranë ku ndodhet dokumentacioni i familjes Morava. Ndërsa nga martesa e tyre ka lindur vajza, A. Morava më 9 gusht 1994. Në fillim të procesit, gjykata i ka ftuar të dy palët për t’u pajtuar, por ka hasur në këmbënguljen e tyre për zgjidhjen e martesës. Në vendim pasqyrohet se gjatë gjykimit është provuar se martesa e çiftit Morava ishte lidhur me njohjen dhe pëlqimin e tyre reciprok, dhe për pak kohë ka funksionuar normalisht. Për disa vite me radhë midis palëve kanë lindur grindje dhe mosmarrëveshje të natyrave të ndryshme për shkak të mospërputhjes se karaktereve. “Janë krijuar situata të pakëndshme, çka kanë bërë të pamundur bashkëjetesën. Vetë e paditura deklaroi se ndjehet e indinjuar dhe e zhgënjyer nga kjo marrëdhënie, për vetë faktin se përkushtimi i saj si bashkëshorte ka qenë maksimal. Ajo u shpreh se shpesh ekzistonte një lloj mënyre komunikimi i vakët në marrëdhënie me paditësin dhe kjo filloi të krijonte një klimë bezdisëse, madje stresante, që mund të jetë reflektuar madje, dhe në marrëdhënie me vajzën e tyre si person që është përfshirë ndjeshëm në grindjet e herëpashershme ndërmjet tyre”, thuhet në vendimin e divorcit. Kurse vetë, 62-vjeçari Morava, ka deklaruar në proces se fillimisht marrëdhëniet midis tij dhe bashkëshortes kishin qenë të mira, ndërsa më vonë kishin lindur kontradikta dhe se divorcin e mendonte si alternativën e vetme për evitimin e kontradiktave dhe konflikteve të vazhdueshme në komunikimin midis tyre. Gjykata është shprehur se ka çmuar që marrëdhëniet bashkëshortore janë tronditur në themel, jetesa e përbashkët e çiftit Morava është bërë e pamundur dhe martesa e ka humbur qëllimin e saj, ndaj duhej të zgjidhej pa u shprehur për fajësinë, pasi një gjë e tillë nuk ishte kërkuar nga palët. Në lidhje me vendimin për t’ia lënë vajzën gruas, gjykata ka vlerësuar raportin e psikologes, e cila ka pohuar se: “...e ëma dallohet për një qëndrim përkujdesës dhe sjellje përkushtuese ndaj vajzës dhe jetës së saj. Ajo nuk shfaqprobleme në aftësitë e saj të prindërimit”. Pikërisht në bazë të kësaj gjykata ka vendosur lënien e vajzës me nënën.

Kreu i Lidhjes: Nuk na habiti  arrestimi i Zyhdi Moravës

TIRANE - Lajmi për arrestimin e Zyhdi Moravës, me 9 kilogramë kokainë të fshehur në makinë, në Itali duket se, nuk u ka bërë shumë përshtypje kolegëve të tij në kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve. Të paktën kështu është shprehur në një prononcim për gazetën “Panorama”, kreu i këtij institucioni Hysen Sinani. Duke gjetur rastin për kritika pas kapjes së shkrimtarit Zyhdi Morava nga policia italiane, Hysen Sinani, pasardhësi i të arrestuarit në Lidhjen e Shkrimtarëve, pohoi se nuk është habitur shumë për ngjarjen në fjalë. “Ai që e njeh këtë njeri nuk habitet aspak për këtë arrestim. Sepse Morava mund të bëjë çdo gjë, kur është fjala për të përfituar para”, u shpreh kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve. Ai pohoi se ndien keqardhje për ngjarjen e ndodhur, ku prangat u shtrënguan në duart e një njeriu të letrave. “Për ne është keqardhje e madhe që një shkrimtar, cilido qoftë ai, të implikohet në rrethana, që e poshtërojnë figurën e tij. Aq më tepër kur bëhet fjalë për drogë, çka është në vetvete një akt kriminal ndaj qenies njerëzore”, tha kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve. Hysen Sinani tregoi se lajmin për arrestimin e ish-kreut të Lidhjes së Shkrimtarëve ka marrë vesh nga media. “Kam pasur komunikim telefonik më kryesinë e Lidhjes dhe kështu si mua lajmi nuk i ka surprizuar aspak”. Madje ai ka shkuar deri aty sa e ka cilësuar si “çlirim” arrestimin e shkrimtarit Zyhdi Morava. “Duket cinike, por pothuajse të gjithë anëtarët e kryesisë e kanë pritur si çlirim arrestimin e këtij individi. Kjo, për arsyen e thjeshtë, sepse Morava nuk mund të rrinte asnjë javë të vetme pa falsifikuar diçka”, u shpreh Sinani. Sipas tij, shkrimtari Zyhdi Morava, kishte edhe precedentë të mëparshëm në falsifikime dokumentesh gjatë viteve të fundit. Për këto arsye duket se ai ishte shpallur person “non grata” në Lidhje dhe ishte përjashtuar prej saj. “Zyhdi Morava është përjashtuar nga Lidhja e Shkrimtarëve në një kongres të jashtëzakonshëm në dhjetor të vitit 2006. Largimi i tij nga kryesia e Lidhjes u bë për shkak të abuzimeve, që kishte bërë me fondet dhe për shkeljet e patolerueshme të statutit të Lidhjes”, sqaroi Hysen Sinani. Mes të tjerave ai ka pranuar edhe ndikimin negativ, që krijon arrestimi i Moravës në imazhin e Lidhjes së Shkrimtarëve, e cila është në ditë jo të mira. “Arrestimi i tij ndikon për keq dhe për këtë nuk na vjen aspak mirë. Por, për informacion të lexuesit, qoftë edhe përciptazi do të kuptonte që ai nuk ka qenë asnjëherë anëtar i këtij institucioni, edhe pse përkohësisht arriti të bëhej edhe kryetar i saj”, u shpreh Sinani. Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve përjashtoi mundësinë e përdorimit të ndonjë detyre zyrtare të Lidhjes prej Moravës për udhëtimin në drejtim të Holandës nga Zyhdi Morava. Kjo, pasi institucioni që ai drejton nuk ka korrespondencë me Vendet e Ulëta. “Por në të nuk përjashtojmë mundësinë e përdorimit të emrit të Lidhjes prej tij për të fituar sadopak autoritet dhe kjo e dëmton akoma më keq organizatën tonë”, përfundoi Hysen Sinani.                 ar.ba

Policia shqiptare: S‘kemi lajmërim për arrestimin e shkrimtarit Morava

TIRANE – Autoritetet e shtetit shqiptar duket se ende nuk janë lajmëruar në rrugë zyrtare për arrestimin e Zyhdi Moravës. Sipas burimeve zyrtare nga policia shqiptare, mësohet se deri mbrëmjen e djeshme në Tiranë nuk kishte mbërritur ndonjë lajmërim në rrugë zyrtare për arrestimin e ish-kreut të Lidhjes së Shkrimtarëve. Policia shqiptare duket se ka marrë dijeni nga mediat për këtë fakt, ndërsa pala italiane ende nuk ka bërë lajmërimin zyrtar për rrethanat në të cilat ra në pranga shkrimtari Zyhdi Morava. Sipas burimeve nga policia, ajo çka mund të konfirmohet është se 62-vjeçari nuk ka qenë më parë person i dyshuar për ushtrimin e një veprimtarie të tillë kriminale. Mësohet se më parë nuk ka pasur asnjë informacion nga policia apo nga Interpoli për implikimin e shkrimtarit ne veprimtarinë e trafikimit të lëndëve narkotike. Arrestimi i tij duket se ka qenë i rastësishëm, pas kontrollit të bërë nga policia në pjesën e brendshme të dyerve të automjetit me të cilin ishte duke lëvizur shkrimtari, që udhëtonte nga Gjermania në drejtim të Italisë. Për shkak të mungesës së informacioneve paraprake, duket se policia italiane është angazhuar fillimisht me sqarimin e rrethanave rreth Zyhdi Moravës, duke lënë për më pas lajmërimin për autoritetet shqiptare.    

Nervozizmi i Moravës zbuloi drogën

Nervozizmi dhe për-gjigjet kontradiktore kanë “tradhtuar” ish-kreun e Lidhjes së Shkrimtarëve, Zyhdi Morava mbrëmjen e së enjtes, teksa ishte duke transportuar 9 kilogramë kokainë.

Shkrimtari sapo kishte kaluar kufirin mes Austrisë dhe Italisë pranë zonës së Breneros kur është ndaluar nga policia në pikën e taksës rrugore të Vipitenos në autostradën A22 për një kontroll rutinë të dokumentacionit. Mësohet se fillimisht agjentët e policisë, duke dyshuar në faktin se automjeti i shkrimtarit Morava kishte ardhur nga Gjermania e rimorkiuar, i kanë drejtuar disa pyetje atij dhe drejtuesit të karroatrecit. Sipas mediave italiane, ky moment nuk ka rezultuar i favorshëm për ish-kreun e Lidhjes së Shkrimtarëve, i cili ka filluar të shfaqë nervozizëm të theksuar gjatë vonesës nga policia. Sikur të mos mjaftonte kjo, përgjigjet e tij dhe të drejtuesit të karroatrecit kanë qenë kontradiktore, çka duket se ka rënë lehtësisht në sy të agjentëve të policisë italiane. Të gjendur përballë këtyre fakteve agjentët e antidrogës në policinë italianë kanë vendosur të ushtrojnë një kontroll të imtësishëm në të dy automjetet. Gjatë verifikimeve ata kanë zbuluar sasinë e kokainës të fshehur në automjetin tip “Peugeot” me targa gjermane, që i përkiste 62-vjeçarit Zuhdi Morava nga Shqipëria. Sipas policisë së vendit fqinj, droga ishte ndarë në 17 pako dhe në total arrinte një peshë prej rreth 9 kilogramë. Pas evidentimit të këtij fakti, Zuhdi Morava është arrestuar nga policia për akuzën e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe është dërguar në ambientet e paraburgimit të Bolzanos. Ndërsa droga e gjetur dhe automjeti i shkrimtarit janë sekuestruar nga policia italiane nën cilësinë e provës materiale. Lajmi për arrestimin e Zyhdi Moravës, personazhi i njohur i letrave shqipe, u publikua mbrëmjen e së enjtes nga mediat dhe policia italiane. “Shkrimtari i njohur shqiptar Zyhdi Morava, 62-vjeç, u arrestua në Brenero me afërsisht 9 kilogramë kokainë të fshehura në makinën e tij”, thuhej në lajmin e publikuar nga mediat italiane dy ditë më parë. Sipas këtyre burimeve, shkrimtari shqiptar ishte nisur pak ditë më parë nga vendet e ulëta. Në Mynih, zonë e Bavarisë në Gjermani, automjeti i tij kishte shfaqur një defekt që e bënte të pamundur lëvizjen e mëtejshme. Për rrjedhim, Zyhdi Morava e ka rimorkiuar automjetin në një karroatrec për ta dërguar në këtë mënyrë në Itali. Por një kontroll i ushtruar pak çaste, pasi kishte kaluar kufirin mes Austrisë dhe Italisë ka zbuluar sasinë e lëndës narkotike. Aktualisht, mbi shkrimtarin shqiptar rëndon akuza e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Nga Policia e Shtetit shqiptar dhe Prokuroria deri në mbrëmjen e djeshme nuk pati ndonjë deklaratë zyrtare në lidhje me arrestimin e shkrimtarit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›