Ligji i trukimeve përçan botën e futbollit shqiptar
U bënë tri ditë që qeveria shqiptare ka miratuar projektligjin e ri për trukimet e ndeshjeve, më saktë për shitjen e tyre, që do të thotë, nëse vërtetohet gjithçka, atëherë dënohesh me shtatë vjet burg.
Në fakt prej kohësh, prej më shumë se pesë vjetësh, jo vetëm në kompeticionet e Kupave të Evropës, por edhe të ndeshjeve të kombëtares, gjithnjë janë hedhur akuza për shitjen e ndeshjeve. Ligji u mirëprit nga të gjithë, por bota e futbollit është e përçarë; disa thonë ‘po’ e disa thonë ‘jo’. Ka dhe nga ata që kanë heshtur, pavarësisht se janë kontaktuar nga “Panorama” për një mendim. Megjithatë, në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë rolin e të paditurit, sepse nuk i ka pyetur askush. Shefi i zyrës së shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit, Tritan Kokona, ka shpjeguar se institucioni më kryesor i topkëmbës shqiptare nuk është pyetur për këtë ligj. “Ne e pranojmë gjithnjë bashkëpunimin dhe ndihmën e shtetit, megjithatë do të ishte më mirë që, përpara se të miratohej një ligj për trukimet, me patjetër të ishin ulur aktorët e futbollit për t’i diskutuar këto gjëra. Ne nuk mund ta komentojmë një ligj të tillë deri në momentin që nuk kemi asnjë dijeni zyrtare se për çfarë ky ligj bën fjalë”, thotë shefi i zyrës së shtypit në FSHF, Kokona.
Arben Laze
Presidenti i Elbasanit, Arben Laze, i është bashkangjitur grupit të atyre që janë kundër këtij ligji. Dhe duke iu bashkuar zërit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Laze ka bërë të ditur për gazetën “Panorama” se: “Edhe unë jam i mendimit se ky ligj duhet të ishte krijuar nga njerëz, të cilët janë brenda botës së futbollit dhe e njohin mirë këtë sport. Nuk vlen një ligj, i cili nuk është bërë nga njerëz të futbollit, por nga persona që nuk kanë lidhje me të. Nuk jam kundër krijimit të një ligji të tillë, por mendoj se qeveria duhet të kishte diskutuar në parim edhe me klubet, apo FSHF-në. Besoj se kështu gjërat do të ishin bërë në mënyrën e duhur”.
Valter Fushaj
Pas Lazes, edhe Fushaj duket se është i mendimit që ligji për trukimet duhet të ishte diskutuar me njerëzit e futbollit, apo me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. “Për mua – tha Fushaj për Panorama Sport - duhet të ishin marrë edhe mendimi i FSHF-së. Për një ligj, që prek direkt futbollin, ështe e mira të ishte marrë edhe një vlerësim prej FSHF-së, pse jo edhe prej presidentëve të futbollit, që po shpenzojnë për këtë sport. Më duket se është shumë heret për një gjë të tillë. Më parë duhet të ishte shikuar një eksperiencë e tillë, nëse ekziston në vendet e tjera të Evropës dhe Botës. Gjithçka duhet të ishte shikuar me kujdes dhe të ishte marrë përvojë ndërkombëtare, pse jo dhe një asistencë në ndërtimin e tij”.