E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet roja e poliklinikës

 

ELBASAN/ ALDO KOZARJA

Arrestohet për falsifikim dokumentesh roja i poliklinikës së specialiteteve në Elbasan. Ndonëse policia ka vënë Gugash Çelën, 40 vjeç në pranga, dyshohet se ai ka qenë vetëm “sekseri” mes pacientëve dhe mjekëve për të siguruar raporte mjeko-ligjore kundër të gjitha procedurave. Pikërisht për sigurimin e një raporti të tillë, të cilët janë të detyrueshëm në disa procedura për lejimin e armëve të zjarrit, punësim, etj., qytetarët përplaseshin fillimisht te roja. Në këtë mënyrë ata e përfitonin pa pritur shumë kohë në radhë, si dhe pa u vizituar aspak kundrejt pagesës. Sipas burimeve të policisë, një hetim disamujor, bazuar të dyshimet mbi këtë veprimtari, ka sjellë dhe arrestimin e Çelës. Ato nisën në kohën kur një person, i njohur për probleme mendore, çoi në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit dosjen personale, bashkë me raportin mjeko-ligjor, me qëllim mbajtjen me leje të një arme gjahu. Fakti se raporti e cilësonte të përgjegjshëm mendërisht atë ka bërë që policia të dyshojë mbi mënyrën e sigurimit të tij. Menjëherë kanë nisur hetimet, duke përfunduar tek roli i rojës së poliklinikës. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se roja privat i kësaj godine, krahas detyrës zyrtare kryente dhe veprime të kundraligjshme në bashkëpunim me disa mjekë. Këta të fundit, ende nuk janë marrë nën hetim nga ana e policisë, për shkak se i gjithë dokumentacioni është duke u përpunuar dhe pritet të dilet me konkluzione të qarta, të cilat do të shërbejnë më pas si prova. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se roja qëndronte te dera e ambulancës dhe u garantonte qytetarëve të ndryshëm, se u firmoste e vuloste leje për dhënien e armëve të gjahut apo raporte mjeko-ligjore, që nevojiten për marrjen e patentës, për aplikim në vendet e punës, etj. I arrestuari pritet të kthehet në bashkëpunëtor të policisë, me qëllim goditjen e atyre mjekëve specialistë, të cilët dyshohet të kenë abuzuar me lëshimin e raporteve të ndryshme. Operacioni i koduar “Falsifikatori” pritet që të zgjerohet, pasi do të merren në pyetje deri në zbardhjen e pozicionit të gjithsecilit mjek të përfshirë në këtë çështje. Gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e Çelës u gjetën rreth 100 raporte të paplotësuar, por që kishin të vendosur emrin dhe vulën e mjekut. Në poliklinikën e specialiteteve punojnë një pjesë e mirë mjekësh të qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan. Pak kohë më parë, Prokuroria e Elbasanit pohoi se të tjerë arrestime do të ketë në fushën e mjekësisë, kur bluzat e bardha e të tjerë persona të administratës marrin para nga pacientët dhe shpërdorojnë detyrën.

Inspektori i pyjores, korrupsion me 1 mijë lekë

SHKODER - Një inspektor i Policisë Pyjore në Shkodër përfundoi në pranga, pasi në vend që të ndalonte një mjet që po transportonte lëndë drusore, e lejoi të vazhdojë rrugën kundrejt një shpërblimi prej 1 mijë lekësh. Sipas policisë, i arrestuari është 49- vjeçari Gjin Deda. “Arrestimi i inspektorit u bë, pasi rreth orës 21:20 të së mërkurës, duke qenë me shërbim në postbllokun tek Ura e Mesit, ka ndaluar një automjet kamion, pa targa, të ngarkuar me lëndë drusore. Pasi i ka marrë një shumë prej 1 mijë lekësh të reja, ai e ka lënë mjetin të kalonte”, bëri të ditur policia. Por vetëm pak minuta larg postbllokut të pyjorëve, policët e rendit  kanë ndaluar kamionin me lëndë drusore. Nga verifikimet e bëra rezultoi se drejtuesi i mjetit nuk kishte dokumentacion për lëndën drusore që kishte ngarkuar. Blutë morën në pyetje shoferin pasi dyshuan se si ai kishte arritur të kalojë postbllokun e Policisë Pyjore që gjendej tek Ura e Mesit. Gjatë marrjes në pyetje ata mësuan se inspektori i Policisë Pyjore, kundrejt një shpërblimi e kishte lejuar shoferin e kamionit të vazhdonte rrugën për më tej. Kaq u ka mjaftuar uniformave blu që të bëjnë ndalimin e inspektorit të pyjores me akuzën e “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë profesione publike”.          r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›