Korçarët braktisin ekranin e madh, falimenton “Majestik”
KORÇE/ GEZIM ASHIMI
Pas më shumë se 90 vitesh nga çelja e kinemasë, “Millenium Majestik” mbyll dyert duke shpallur falimentin. Kjo qendër e rëndësishme kulturore e qytetit nuk arriti të krijojë një shekull jetë dhe veprimtari, pasi nuk mundi t’i mbijetojë ekonomisë së tregut. Gjergji Raidhi, menaxher i “Millenium” konfirmoi mbylljen e kinemasë. Korça ka qenë një nga qytetet e para në Shqipëri me kinema. Por tashmë mbetet pa këtë institucion kulturor pas më shumë se 90 vitesh nga çelja e saj. “Millenium” nuk pati jetëgjatësi pasi frekuentimi në të ka ardhur vazhdimisht në rënie. Arsyeja sipas administratorëve të saj në Korçë është hapja e televizioneve të shumta kabllore apo satelitore, duke konkurruar me shfaqjen e filmave të fundit kinemanë e qytetit. Kjo ndikoi te qytetarët që ta braktisin ekranin e madh. Historia e kinemasë korçare është nga më të vjetrat në Shqipëri. Filmi këtu ka filluar të shfaqet gati 90 vjet më parë, kur në qendër të qytetit u ndërtua kinema “Majestik”. Aksionarët ishin tregtarë korçarë, disa prej të cilëve me banim në SHBA. Në këtë kinema filluan të shfaqen filmat më të mirë të kohës, deri tek ata me ngjyra. Në ekranin e kësaj kinemaje, spektatorët korçarë panë për herë të parë Çarli Çaplinin, Greta Garbon, etj. “Majestik” nuk kishte ndonjë ndryshim nga kinematë e tjera bashkëkohore. Ajo kishte një kapacitet prej 300 vendesh, platenë dhe lozhat. Rreth fillimit të viteve ’30, në një largësi prej 600-700 metrash nga “Majestik”, u ndërtua kinema “Lluks”, edhe kjo me një pamje bashkëkohore. Ndonëse aty nuk kishte lozha, plateja ishte ndërtuar me ndenjëse mjaft të rehatshme, të veshura me kadife të kuqe. Por, korçarët e kulturuar të viteve ‘30 nuk u mjaftuan me kaq. Disa vite më vonë, në një nga lagjet kryesore të qytetit, u ndërtua edhe një kinema verore. Edhe pse popullsia e qytetit nuk i kalonte 22 mijë banorët, biznesi i kinemasë ishte nga më të suksesshmit e kohës. Pas Luftës së Dytë Botërore, në dimrin e 1946-ës, kinemaja “Lluks” u dogj kur në të shfaqej filmi italian “Borëbardha dhe shtatë xhuxhat”. Ndërsa “Majestik”, pas vendosjes së diktaturës, u shtetëzua dhe humbi funksionin si kinema. Pas ndërrimit të sistemeve, në vitin ’90 kinemaja ishte një nga objektet e para që iu kthye ish-pronarëve. Në vitin 2001 disa aksionarë vendosën ta kthenin në identitet. Ata investuan në të një shumë prej 600 mijë dollarësh, duke e bërë një ndërtesë me ambiente moderne. Emrit të mëparshëm “Majestik” iu shtua edhe “Millenium”. Por, në vitin 2003, si rezultat i një shkëndije elektrike kinemaja u dogj. U desh një investim i dytë prej 300 mijë eurosh për ta bërë atë përsëri bashkëkohore. Megjithë këto investime, kinemaja u frekuentua shumë pak. Ka pasur raste kur filmat janë shfaqur me 10-12 spektatorë. Në këto kushte, “Millenium Majestik”, u detyrua të shpallë falimentimin.