E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet shefi i shtabit të Luan Skuqit

11/06/2005  Kandidati i PD në Pezë

Forcat e policisë kanë arrestuar dje, në Komunën e Pezës, shtetasin Besnik Kodra, kryetar i shtabit elektoral të kandidatit të PD-së në zonën 50, Luan Skuqi. Kodra është njëkohësisht dhe kryeplak i fshatit Pezë–Helmës. Sipas zëdhënësit të shtabit elektoral të kandidatit të PD-së, Agron Shima, i gjithë operacioni policor është drejtuar nga inspektori i policisë së zonës, Daut Mara. “Shkak i këtij arrestimi, sipas policisë, ishte verifikimi i disa dokumentave që kanë të bëjnë me një makinë që Kodra e kishte në përdorim, dokumenta të cilat ishin plotësisht në rregull dhe nuk përbëjnë problem për uniformat blu”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të kandidatit Skuqi. Sipas tij, ky arrestim është shoqëruar edhe me presionin e vazhdueshëm që inspektori i policisë, Daut Mara, ka ushtruar kundër kryetarit të shtabit elektoral të kandidatit për deputet në zonën 50, Luan Skuqi, duke e kërcënuar atë se nuk duhet të jetë aktiv në veprimtarinë e tij politike, pasi do t’i ketë gjithmonë nga pas uniformat blu. Shtabi elektoral i kandidatit të PD-së deklaron se arrestimin e Kodrës është një presion që kërkohet t’i bëhet elektoratit të Pezës dhe vazhdim i dhunës së ndërmarrë nga PS, për shkak të panikut që i ka zënë nga humbja në zgjedhjet e korrikut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›