E Hënë, 2 Nëntor 2026

Heqim TVSH në ndërtime,ulje të çmimit të energjisë

11/06/2005  Kreu i PD, Berisha, thekson se ndikimi në buxhetin e shtetit do të jetë tepër minimal

Armand Maho

Partia Demokratike ka premtuar se në rast fitoreje të zgjedhjeve parlamentare do të ulë në masën 12.5 për qind TVSH-në si dhe do të ketë ulje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike. Këto deklarata janë bërë nga kreu i PD, Sali Berisha, dhe nga specialistë të hartimit të paketës fiskale të PD-së gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit të vogël.

TVSH dhe KESH

Florian Mima, një ndër hartuesit e strategjisë ekonomike të PD-së, tha se në platformën e PD-së parashikohet edhe ulja e çmimit të energjisë elektrike, e cila nga ana e KESH po i shitet konsumatorit deri në 15 herë më shtrenjtë sesa kostoja e saj. “Eshtë llogaritur që kostoja e energjisë elektrike është 1.08 lekë për kilovat orë. Ndërkohë që kjo energji i shitet konsumatorit me 8 lekë, pra 8 fish më shtrenjtë, ndërsa biznesit të vogël me 15 lekë kilovatorë, pra 15 fish më shtrenjtë. Për mendimin tim, reklama e KESH barazojmë koston me tarifat është thjesht demagogji, sepse me këtë logjikë KESH duhej të dilte me humbje, ndërkohë që vetëm për vitin që shkoi ka raportuar një fitim prej 60 milionë euro. Pra, vend për të ulur çmimin e energjisë ka, dhe do të ulet”, tha Mima. Sipas tij, qeverisja e opozitës synon ta ulë TVSH në masën 12.5 për qind, ndërkohë që kjo taksë do të hiqet në shitjen e banesave. “Për biznesin e vogël, tatimi do të jetë sa gjysma e këtij që ju duhet të paguani sot. Shkalla tatimore në qeverisjen e PD nuk do të jetë 20%, por 17% dhe ne do të synojmë ta çojmë deri në 12.5%. Në shitjen e banesave do të hiqet TVSH 20%, që qeveria shqiptare ka planifikuar, duke nisur nga 1 janari 2006”, tha Mima.

Berisha

Lideri i PD, Berisha, tha se nxitja e biznesit, duke aplikuar uljen e taksave dhe krijimi i hapësirave për biznesin e vogël, do të jetë kryefjala e politikave ekonomike të qeverisjes së opozitës aktuale, në rast se fiton zgjedhjet. Sipas tij, pretendimet e socialistëve se ulja e taksave për biznesin e vogël dëmton Buxhetin e Shtetit nuk qëndrojnë. PD angazhohet që në vitin e parë të qeverisjes të ulë taksat me 30 për qind në krahasim me ato aktuale. “Që t’i vijmë në ndihmë sa më shumë biznesit dhe rritjes së tij ne do të përgjysmojmë taksat. Të jem i sinqertë me ju, dëmet që do të pësoj Buxheti i Shtetit nga ulja e taksave, janë aq sa jo serioze, aq dhe qesharake, pavarësisht se ç'propagandohet nga socialistët. Aktualisht, kontributi i biznesit të vogël në buxhet është 20 milionë dollarë. Në mënyrë absolute është shumë më i madh po të përfundonte në buxhet. Të nderuar biznesmenë, kontributet përfundojnë atje ku thotë Banka Botërore, në llogaritë private, në pasuritë private të administratës qeveritare. Sikundër ne do të hyjmë në marrëdhënie kontraktuale me ju, me biznesin e mesëm dhe të madh. Angazhohemi të thjeshtojmë të gjitha procedurat buroktratike dhe lehtësojmë barrën financiare për çeljen e një biznesi”, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›