E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha prezanton Sejaminin, Mustafajn dhe Baçen

11/06/2005  Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar dje kandidatin e zonës 42 për kryeqytetin Neritan Sejamini. Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se biznesi i vogël është baza kryesore për punësimin e shqiptarëve. “Ne kemi shpall si qëllim kryesor, punësimin e qytetarëve shqiptar. Ne i përmbahemi, me vendosmëri dhe seriozitet të madh këtij qëllimi. Ne nuk e bazojmë këtë objektiv themelor të programit në makinerinë shtetërore, nuk e bazojmë në sektorin publik. Ne realizimin e këtij objektivi e bazojmë tërësisht tek ju, te biznesmenët, në radhë të parë te biznesi i vogël”, tha Berisha. Ndërsa kandidati Sejamini, u shpreh se heqja e licensave është një ndër veprimet e para të qeverisjes së PD-së, në rast se fiton zgjedhjet, veprim ky që do i sjellë një frymëmarrje të re biznesit. “Shteti sot merr përsipër shumë gjëra, por i bën keq ato. Ne mendojmë të heqim licencat dhe heqja e tyre është një ndihmë për biznesin që çon në uljen e korrupsionit. Gjëja më konkrete në këtë fushatë është politika që Partia Demokratike ka për taksat. Ulja e taksave dhe heqja e licensave janë gjëra që do të bëhen me qeverisjen e PD-së”, tha Sejamini. Ndërkohë, po dje kreu demokrat Berisha ka zhvilluar takim në zonën 35 në Tiranë, ku ka prezantuar kandidatin Apollon Baçe, si dhe një takim me të rinjtë e zonës 32 për prezantimin e kandidatit të PD-së, Besnik Mustafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›