Kapen shqiptarët e 11 vrasjeve
Marko Caka/ Athinë
Mëngjesin e djeshëm policia greke arrestoi katër shqiptarë të akuzuar si anëtarë të një prej bandave kriminale më të rrezikshme në tokën helene. Sipas burimeve zyrtare të policisë greke, bëhet fjalë për vëllezërit Kreshnik dhe Dashamir Kasemi, Roland Cerën dhe Bledar Ahmetin, të cilët pranuan autorësinë për të paktën 11 vrasje dhe 13 plagosje në kryeqytetin grek të Athinës. Burimet policore thonë se anëtarët e bandës më të rrezikshme në 10 vitet e fundit, erdhën pas trazirave të vitit 1997 dhe shumë shpejt arritën të kapin majat e rrjeteve mafioze të Athinës, duke vënë nën kontroll trafikun e drogës dhe prostitucionit. “Banda që përbëhej nga mbi 20 anëtarë të rrezikshëm u bë tmerr për uniformat blu të Greqisë, duke kryer vrasje me pagesë dhe grabitje super spektakolare”, thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, banda u nda në dy pjesë, duke u kthyer ndër grupet më të rrezikshme në botën e kriminalitetit.
Ekzekutimet
Një nga vrasjet e kësaj bande, sipas policisë, është dhe ekzekutimi e beratasit 38-vjeçar Afrim Zeneli më 14 maj të këtij viti, ku mbetën të vrarë dhe dy kalimtarë të tjerë të pafajshëm, Fluturim Lala nga Mirdita dhe një rumun, Ilie Krejanu. Autorët kishin për qëllim larjen e hesapeve me Afrim Zenelin, i cili ndodhej në listat e Interpolit, për implikim në veprimtari kriminale të trafiqeve të paligjshme. Dy nga viktimat e vrasjeve të tjera të kësaj bande ishin grekë, një burrë dhe një cigane greke, të cilët mbetën të vrarë nga plumbat e atentatit mafioz dy vjet më parë, afër qendrës së Omonias. Policia tha se viktimat e tjera të vrasjeve ishin shqiptarë, anëtarë të kësaj bande, që u kthyen nga bashkëpunëtorë në armiq mes tyre, për shkak të larjes së hesapeve në fushën e trafiqeve. Katër shqiptarët e arrestuar pas një operacioni blic nga forcat speciale akuzohen si anëtarë të rrjetit të dytë të krimit, njëri prej të cilëve po hetohet nga policia greke. Njëri nga të arrestuarit, Kreshnik Kasemi, është dhe kapoja e kësaj bande. Në vitin 1998 ai kishte rrëmbyer një bashkëkombës të tij shqiptar, të cilin e kishte torturuar me shufër të ndezur, në mënyrë që të detyronte familjen e tij të dorëzonte shumën e parave të kërkuara.
Kapoja i bandës
Në atë kohë, Kreshnik Kasemi u arrestua nga policia greke dhe mori dënimin me 8 vjet burg. Para një viti ai sapo doli nga burgu vazhdoi rrugën e nisur duke kryer ekzekutime të frikshme ndaj anëtarëve rivalë të bandës së tij, duke treguar forcën e një kapoje të sapokthyer në botën e krimit. Kreu i policisë greke Grigoris Balakos tha dje për gazetën “Panorama”, se gjatë operacionit për kapjen e katër shqiptarëve u gjet një sasi e madhe heroine dhe hashashi, pesë armë me dhjetëra sasi fishekësh. Pas arrestimit të katër shqiptarëve, forcat speciale të policisë greke kryen kontrolle në shtatë banesat ku strehoheshin anëtarët e bandës, duke gjetur dy armë gjysmë-automatike tip “Scorpions”, tri pistoleta, 10 karikatorë, 450 fishekë, 2.5 kg hashash, 1.5 kg heroinë dhe 1 peshore matëse të narkotikëve. Kryepolici grek, Balako, tha se në banesat e të arrestuarve u gjetën dhe uniforma policore dhe mjete të tjera të nevojshme, si dhe 70 mijë euro që vinin nga trafiku i drogës.
Të arrestuar
1. Kreshnik Kasemi
Kapoja i bandës
2. Dashamir Kasemi
Vëllai i Kreshnikut
3. Roland Cera
4. Bledar Ahmeti
anëtarë të bandës
Kryepolici:Vrasjet nga rivaliteti
ATHINE - Shefi i policisë greke, Grigoris Balakos, tha dje për gazetën “Panorama”, se “nga 11 vrasjet e kryera prej bandës, vetëm dy prej viktimave janë të pafajshëm, ndërsa të tjerët janë ish-anëtarë të grupit të ekzekutorëve që vdiqën në ekzekutime tipike mafioze për larje hesapesh dhe mosmarrëveshje në aktivitetin kriminal. Nga hetimet e policisë në Athinë ka rezultuar se pjesa më e madhe e vrasjeve për të cilat akuzohen shqiptarët është kryer për shkak të mosmarrëveshjeve që lidhen me ndarjen e fitimeve të trafikut të drogës dhe prostitucionit si dhe për veprimtari të tjera kriminale. Dosja penale kundër katër shqiptarëve të arrestuar mësohet se po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Athinë, e cila ka ngritur akuza të rënda ndaj katër shqiptarëve, duke i pandehur për veprime në formën e krimit të organizuar, vrasje, plagosje të rënda dhe armëmbajtje pa leje.