Dhuna ndaj të ndaluarit, oficeri mohon akuzën në gjyq
SARANDE – Gjykata e Sarandës ka lënë në burg pa afat oficerin e policisë, të akuzuar për dhunë të ushtruar ndaj një të ndaluari. Megjithë dëshminë e bërë nga Ardit Hasanbega, trupi gjykues la në fuqi kërkesën e prokurorisë. Hasanbega akuzohet për kryerje të veprimeve arbitrare ndaj 18-vjeçarit Aristil Gllucaj, i ndaluar si i dyshuar për trafik klandestinësh. Nga burime të gjykatës mësohet se oficeri i komisariatit në seancën gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë nuk ka pranuar akuzën, duke pohuar se asnjëherë nuk ka ushtruar dhunë ndaj të ndaluarit. Mësohet se ai ka dëshmuar se i riu ka përplasur kokën në tavolinë, duke u shprehur se kishte dhe vëllanë e babanë në burg për drogë. Deri në fund të seancës gjyqësore i ndaluari, Ardit Hasanbega nuk ka pranuar për asnjë moment akuzën që është ngritur kundër tij. Prokuroria ndërhyri për hetimet e këtij rasti, pasi Avokati i Popullit hodhi dyshimet për dhunën ushtruar ndaj të ndaluarit gjatë marrjes së tij në pyetje. Gllucajt i ra të fikët gjatë seancës së sigurisë së tij, duke e bërë më alarmante çështjen e denoncuar nga avokati mbrojtës. Të enjten ai është përcjellë për në spitalin e burgut në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme. Sipas drejtorit të Shëndetit Publik të Sarandës, Arben Vogli, i riu do t’i nënshtrohet kontrollit në skaner. Dje deputetët socialistë Valentina Leskaj, Arben Isaraj dhe Musa Ulqini vizituan në spitalin e burgut 18-vjeçarin Gllucaj, duke shprehur indinjatën e tyre për dhunën e ushtruar nga policia. sh.d