Arrestohet shqiptarja në Greqi, dyshohet se ka rrëmbyer në 2004-n vogëlushen italiane, Denisa
ATHINË – Denisa, vogëlushja italiane e humbur, mendohet të jetë gjetur në Greqi e shoqëruar nga një grua shqiptare, e cila pretendon të jetë nëna e saj. Vogëlushja italiane është zhdukur në shtator të vitit 2004 teksa luante në oborrin e shtëpisë së gjyshes në Mazara del Vallo. Vogëlushja, rreth 8 vjeçe, e cila i ngjan Denisës, është gjetur në ishullin grek Kos dhe flet mirë italisht. Ndërkaq, në pranga ka përfunduar gruaja shqiptare, e cila ndryshe nga vajza, nuk flet asnjë fjalë italisht. Emri i gruas nuk bëhet ende i ditur, por agjencitë italiane të lajmeve bëjnë të ditur se Interpoli e ka arrestuar gruan me kombësi shqiptare, rreth 30 vjeçe, pasi që në fillim ajo u pyet rreth vajzës së vogël dhe pretendoi të ishte nëna e saj, ndërkohë që rezultoi e kundërta. Agjentët e policisë mbërritën deri te vogëlushja në Greqi pas sinjalizimit të një turisteje italiane, e cila u bëri të ditur se kishte njohur një fëmije që fliste perfekt italisht, në ndryshim nga “nëna” e saj, që fliste shqip. Policia greke bën të ditur se gruaja, e cila e shoqëronte vajzën që i ngjason Denisës, ka jetuar në Tebe, në Greqinë Qendrore. Në korrik ajo ka paraqitur dokumente false për të marrë leje qëndrimi. Më pas është martuar në ishullin grek Kos, ku bëri kërkesë për azil politik. Sipas televizioneve greke, shqiptarja ka rënë në kundërshti me deklarimet e saj në marrjen në pyetje nga autoritetet helene. Menjëherë u bënë testimet e ADN-së në Greqi për gruan dhe fëmijën dhe rezultati ishte: asnjë lidhje mes gruas shqiptare që pretendon të jetë e ëma e vogëlushes dhe 8 - vjeçares. Ndërkohë, kampionet e ADN-së janë dërguar me avion në Itali për të konfirmuar njëherë e mirë identitetin e vogëlushes. Nëna e vogëlushes, Piera Maggio, është vënë në dijeni rreth të rejave. “Sytë e vajzës janë të njëjtë me ato të Denisës, por po qëndroj me këmbë në tokë. Nuk është hera e parë që përballem me situata të ngjashme me këtë”, - thotë nëna e vajzës së vogël. Ajo është në pritje vetëm të analizave të ADN-së, të cilat do t’i japin fund dyshimeve të saj. “Kanë kaluar 4 vjet nga zhdukja e vajzës sime të vogël. Ajo tashmë duhet të ketë ndryshuar. Pasi të dalin rezultatet e ADN-së atëherë do të jem më e qetë”, - thotë Pera Maggio.
Marrë nga “Corriere”
12 Shtator 2008