E Diel, 1 Nëntor 2026

Rihapen subjektet e bllokuara nga Tatimet, pronarët fillojnë ti japin me qira



Ervin Koçi

Policia Tatimore i ka zgjidhur drynat e objekteve private të vëna në sekuestro si pasojë e subjekteve të falimentuara dhe të larguara pa paguar taksat. Nuk kanë zgjatur veç disa ditë nga operacioni për bllokimin e objekteve dhe lokaleve ku më parë ushtrohej aktivitet privat, dhe inspektorët tatimorë kanë shkuar për t’i zhbllokuar sërish pronat që kishin mbetur nën sekuestro. Burime nga Drejtoria e Tatimeve të Tiranës kanë bërë të ditur për gazetën se, “dhjetëra subjekteve që ishin vënë në sekuestro nga Policia Tatimore e kryeqytetit, u janë hequr sërish drynat dhe shiritat që i konsideronin si objekte të bllokuara, me qëllim që pronarët e tyre t’i rihapnin ato ose t’i japin sërish me qira për aktivitete biznesi”. Por në fakt ka qenë frika nga paditë e pronarëve të objekteve ajo që me sa duket e ka detyruar Policinë Tatimore në kryeqytet që të mos merret më ta, por me subjektet që nuk i paguajnë taksat. Vetëm një javë më parë rreth 300 objekte të ushtrimit të biznesit u vunë nën sekuestro nga Policia Tatimore në Tiranë me pretekstin se pronarët e tyre nuk kishin paguar detyrimet tatimore, ose kishin mbyllur aktivitetin pa njoftuar. Por në një kohë që objektet si lokale apo dyqane u vunë nën sekuestro me vendime të DPT-së, pronarët e objekteve që i kishin dhënë ato me qira protestuan për veprimin, pasi ata nuk kishin lidhje me tregtarët apo subjektet që falimentonin dhe ndërprisnin me ta kontratën e qirasë.

Presioni i tatimorëve

Presioni i inspektorëve tatimorë vazhdon mbi subjektet e biznesit të vogël, edhe pse ky i fundit mundohet të mbijetojë me gjithë krizën e rëndë ekonomike në vend. Ligji i ri “Për referencat” duket se është kthyer në “makthin” e radhës për biznesin e vogël. Pas caktimit të pagave të referencës sipas kategorive të ndryshme të punonjësve në sektorin privat, tani Tatimet do të autorizohen të caktojnë edhe numrin e punonjësve, për të cilët një biznes i vogël do të jetë i detyruar të paguajë kontribute për sigurimin shoqëror apo shëndetësor. Në mbledhjen e fundit Këshilli i Ministrave miratoi në parim VKM-në për numrin referues të punonjësve në biznesin e vogël. Sipas këtij vendimi, kur administrata tatimore vëren se numri i të punësuarve, të deklaruar nga tatimpaguesit biznes i vogël, për efekt të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, “nuk është real”, ajo ka autoritetin të bëjë rivlerësimin, sipas kategorive të veprimtarisë. Bizneset do të jenë të detyruara të deklarojnë në Tatimet, nga ana tjetër, edhe ata pjesëtarë të familjeve të tyre, që nuk marrin pagesë, por bashkëjetojnë me ta ligjërisht.

Kategoritë

Përveç llojit të veprimtarisë së ushtruar, prodhuese apo të shërbimit, vendimi ka përcaktuar si kriter për numrin e punonjësve, të njohur nga shteti, edhe nivelin e të ardhurave bruto vjetore për bazën e taksës. Kështu, do të njihen më pak punonjës për një biznes që realizon 2 milionë deri në 3 milionë lekë të ardhura në një vit, në krahasim me atë që realizon 5.7 apo 8 milionë lekë. Mbi këtë nivel, subjekti nuk mund të deklarohet më biznes i vogël. Kështu, për shembull, një lavazh me deklarim të ardhurash vjetore 2-3 milionë lekë, duhet të paguajë kontribute për 2 punonjës, duke përfshirë pronarin. Kjo shifër rritet në 3. 4 dhe 5, në rast se të ardhurat përkatësisht rezultojnë 3-5 milionë, 5-7 milionë dhe 7-8 milionë lekë të rinj.

12 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›