Prokuroria jep 7.5 vjet burg për ish-anëtarin e grupit "Kokaina"
Laureta Rryçi
TIRANË - Ish-anëtari i grupit “Kokaina”, Alfred Nanaj, rrezikon dënimin me 7.5 vjet burg për veprën penale të “prodhimit dhe shpërndarjes së narkotikeve”. Gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Shkallës së Parë, përfaqësuesi i Prokurorisë së Tiranës kërkoi shpalljen fajtor dhe dënimin me 7.5 vjet burg për të pandehurin Alfred Nanaj. Ky i fundit u arrestua në fillim të vitit 2008 me një sasi 19.6 gramë kokainë, gjatë një operacioni të policisë së Tiranës, afro 2 vjet e gjysmë pas përfundimit të dënimit të mëparshëm me 5.5 vjet burg, si anëtar i grupit “Kokaina”.
Arrestimi
Prej kohësh agjentët Antidrogë kanë pasur në vëzhgim ish-anëtarin e grupit “Kokaina”, i cili u arrestua më 2 shkurt të viti 2001 dhe doli nga burgu më pak se dy vjet më parë. Burime policore thanë se Nanaj, i cili kishte marrë me qira një lokal në Tiranë, dyshohej se nuk kishte hequr dorë nga “avazi i vjetër” ndaj dhe ishte nën mbikëqyrjen e specialistëve. Mirëpo arrestimi i tij u bë i mundur teksa qëndronte nën shoqërinë e Elvis Gjinos, banues në Tiranë. Sipas policisë, të arrestuarit u kapën në flagrancë rreth orës 24:30 të datës 06 janar 2008, në rrugën “Grigor Heba”, në momentin që po dilnin nga banesa për të shpërndarë lëndë narkotike nëpër lokalet e natës. Në cilësinë e provës materiale atyre iu sekuestruan: sasia prej 19.6 gr, pluhur i dyshuar narkotik e llojit kokainë, e ndarë dhe ambalazhuar në 22 porcione, shuma e parave prej 39.500 lekësh e përfituar si rezultat i shitjes së lëndës narkotike, si dhe dy telefona celularë.
“Kokaina”
Alfred Nanaj ishte një ndër anëtarët e grupit të bujshëm dhe u dënua me 6 vjet burg për pjesëmarrje në trafikimin e lëndëve narkotike. Së bashku me të u dënuan në vitin 2001 edhe ish-shefi i Policisë, Sokol Koçiu, Frederik Durda, Arben Përballa, Mentor Hadërgjonaj, Vehbi Hysi. Në shtator të vitit 2000, prokurori i atëhershëm Arben Rakipi ishte vënë në dijeni të rrjetit shqiptar nga zëvendësprokurori i Antimafies italiane, Françesko Mandoi. Për 6 muaj me radhë rrjeti u mbajt në survejim të plotë, ku u regjistruan rreth 10 mijë biseda telefonike. Natën e 2 shkurtit 2001, në 7 shtete njëherësh u arrestuan 21 persona, të konsideruar si hallkat kryesore të rrjetit ndërkombëtar të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri. Mes tyre figuronin edhe emrat e Frederik Durdës dhe vëllait të tij. Pak ditë me vonë, fletë-arresti u firmos edhe për shefin e Policisë Gjyqësore të Shqipërisë dhe disa persona më pak të rëndësishëm.
12 Shtator 2008