Raporti i BB-së: “Taksat i gërryejnë 50.5 për qind të fitimeve biznesit”
Norma e taksave ka ardhur në rritje për biznesin e vogël në vend dhe bashkë me të janë shtuar edhe vështirësi të tjera si caktimi i pagave, çmimeve dhe taksa e sheshtë. Këto për ekspertët e Bankës Botërore janë dhe arsyet kryesore të barrës shtesë për biznesin e vogël, që ata i kanë shprehur dy ditë më parë në raportin e tyre “Si të bësh biznes 2009”. Sipas këtij raporti, taksat që paguan biznesi shqiptar kanë ardhur në rritje gjatë vitit 2008. Raporti i BB-së bën të ditur gjithashtu, se kemi një shtim të barrës fiskale gjatë këtij viti. Ky konstatim i bërë nga BB-ja vjen në kundërshtim me deklaratat e qeverisë, që bëjnë të ditur se barra fiskale është ulur. Shkak për rëndimin e barrës fiskale janë bërë masat diskriminuese, ku përfshihen pagat e referencës, caktimi i çmimeve dhe përcaktimi i fitimeve si edhe taksa e sheshtë. Vetëm si Tatim mbi Fitimin, biznesi shqiptar paguan 16.7 për qind dhe pagesa ka ardhur në rritje nëse e krahasojmë me vitin 2007. Raporti i BB-së bën të ditur se tatimi mbi fitimin ishte 11.8 për qind gjatë vitit 2007 ndërsa në vitin 2008 është rritur me rreth 5 për qind. Rritja reale e barrës së taksës në një kohë që me vendim qeveria e ka ulur atë në 10 për qind, vjen për shkak të mënyrës fiktive që caktohet kjo taksë. Janë të shumta rastet në rritje, kur tatimet caktojnë me anë të metodave alternative fitimet e kompanive. Një pikë tjetër e dobët e mbledhjes së tatim-fitimit është parapagimi. Kjo taksë caktohet apriori dhe parapaguhet nga ana e biznesit në çdo muaj, duke pritur fundin e vitit për të bërë edhe mbylljen e bilancit.
Shkurt............................
Çmimet e prodhimit pësojnë rritje me 7.4 për qind
Instituti i Statistikave ka bërë të ditur se çmimet me të cilat përballen prodhuesit në vend kanë pësuar një rritje 7.4 për qind në harkun kohor të një viti. Një fakt i tillë është pranuar edhe nga ana e shoqatave të biznesit, të cilat kanë kërkuar ndërhyrje dhe në rastin e ndërtuesve, edhe rivlerësim të kontratave që ata kanë lidhur një vit më parë me qeverinë. INSTAT bën të diture se Indeksi i Çmimeve të Prodhimit në degën “Industri Përpunuese” shënoi rritje me 1.6 për qind. Brenda kësaj industrie mund të përmendim rritjen e çmimeve në aktivitetin “Industria ushqimore” me 0.9 për qind, “Industria tekstile” me 3.0 për qind, “Rafinimi dhe koksifikimi i naftës” me 6.7 për qind. Edhe çmimet e Prodhimit për Produktet Vendase arritën 109.9 për qind, duke shënuar një rritje prej 1.5 për qind krahasuar me tremujorin e parë 2008. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimeve në aktivitetet “Industria ushqimore” prej 2.8 për qind, “Industria tekstile dhe veshjeve” prej 2.6 për qind, “Metalurgjia dhe përpunimi i metaleve” prej 6.6 për qind. “Industria nxjerrëse” shënoi një ulje me 0.1 për qind. Këtu mund të përmendim uljen e çmimeve të produkteve në aktivitetin; “Nxjerrja e produkteve joenergjetike” me 0.7 për qind.
Çmimi i naftës bie nën 98 dollarë në bursa, në vend asnjë ulje
Edhe pse në bursat ndërkombëtare çmimi i naftës po pëson ulje të reja gati çdo ditë, në vendin tonë tregtarët u mjaftuan me një ulje të lehtë të bërë muajin e kaluar. Kjo ulje varioi nga 3-5 lekë në pika të ndryshme karburanti, në një kohë që kryeqyteti mban dhe çmimet rekord përsa i përket shitjes së karburanteve me pakicë. Edhe pse në rrethe çmimi i naftës është ulur më shumë, në Tiranë tregtarët me pakicë vijojnë të bëjnë vetëm disa ulje qesharake. Ndërkohë edhe importuesit e hidrokarbureve në vend, kohët e fundit kanë përfituar nga uljet e reja në bursë dhe po vijojnë të bëjnë furnizimin e tyre gjithmonë e më lirë. Por përveç kësaj, asnjë rënie e re e çmimit të karburanteve nuk po vihet re. Ndërkohë, çmimi i një fuçie nafte Brent ka qenë dje në Londër nën 98 dollarë pas orës 11.00, sipas agjencisë AFP. Pas kësaj ore, çmimi i naftës shkoi në 97,85 dollarë për fuçi, më i ulëti që nga muaji shkurt. Megjithatë, pavarësisht bursave ndërkombëtare, mungesa e kontrollit shtetëror në tregun e hidrokarbureve në vend, ka bërë që tregtarët e këtyre produkteve të jenë në pozita tepër komode duke shijuar fitimet në një normë shumë të madhe në kurriz të konsumatorëve.
Inspektimet në miniera, në 7 muaj kryhen 282 kontrolle në të gjithë vendin
Reparti i Inspektim-Shpëtim-Minierave “RISHM” ka ushtruar në 7 muajt e parë të këtij viti 282 inspektime periodike në minierat e vendit, 64 prej të cilave për verifikim, pas detyrave të lëna më parë. Përmes këtyre kontrolleve synohet zbatimi i të gjitha rregullave dhe kushteve teknike nga të gjitha subjektet, që ushtrojnë aktivitet privat në këtë sektor. Në 7 muaj u kontrolluan të gjitha minierat nëntokësore, me dhe pa regjim gazi, karrierat etj., që në tërësi, zënë rreth 86 për qind të inspektimeve të planifikuara për të gjithë vitin 2008. Kontrollet u shtrinë në minierat nëntokësore me dhe pa regjim gazi, si në Bulqizë tek kompania "Albanian Chrome", minierat në rrethet e Librazhdit, në Batër, Thekën, Kukës, Has, Tropojë, Mat dhe Pukë, në të gjitha subjektet private, që kanë leje minerare.
Kontrollit nuk i shpëtuan as minierat sipërfaqësore, ose siç njihen ndryshe, karrierat e guroreve, mermerit etj., në të gjitha subjektet minerare në rrethet e Tiranës, Elbasanit, Krujës, Korçës, Devollit, Pogradecit, Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Beratit, Skraparit dhe Përmetit.
12 Shtator 2008