E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria në Gërdec, Mediu përgjigjet para prokurorëve



Habjon Hasani

Tiranë – Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është kapur “gafil” dje para hetuesve lidhur me tre urdhra të tij, të cilët sanksiononin metodën dhe dikasteret që do të mbikëqyrnin punën e kontraktorëve, por edhe terrenin në punishten e Gërdecit. Kësaj here ish-ministri nuk kishte si të fajësonte Shtabin dhe gjeneralët e tij, pasi kanë qenë vetë urdhrat e Mediut që kanë “hequr qafe” në mënyrë arbitrare dhe të paligjshme praninë dhe detyrimet e Shtabit lidhur mbi këto procese. Pikësëpari, Mediu ka urdhëruar që do të jetë ndërmarrja “MEICO” ajo që do të mbikëqyrte dhe do të raportonte për nivelin e sigurisë dhe të masave të mbrojtjes së objektit, por edhe të punëtorëve. Urdhri i Mediut për t’ia kaluar ndërmarrjes “MEICO” këtë përgjegjësi rezulton në kundërshtim flagrant me ligjin (e propozuar nga vetë Mediu), i cili ngarkonte repartet speciale të Forcave të Armatosura për të kryer këto procese. Përveç kalimit arbitrar të përgjegjësisë për sigurinë te ndërmarrja “MEICO”, ky urdhër i ministrit dyfishon përgjegjësinë e tij, pasi sikurse mësohet, vetë Mediu nuk ka kërkuar asnjë relacion apo memo nga “MEICO” lidhur me ecurinë e situatës në terren. I pyetur për këtë fakt nga prokurorët, ish-ministri “ka djersitur”, duke mos qenë në gjendje të japë shpjegime konkrete si dy ditë më parë, kur u pyet mbi procedurat e zgjedhjes së Gërdecit si vendi për t’u kryer demontimi.
Ministri
Ish-ministri i Mbrojtjes është pyetur dje hollësisht lidhur me procedurat për sigurinë në Gërdec, ndërsa ende prokurorët nuk i kanë ezauruar të gjitha pyetjet e tyre lidhur me të dyshuarin e tyre. Pritet që prokuroria të thellojë investigimin e saj duke e pyetur më vonë ish-ministrin edhe në lidhje me disa detaje dhe të dhëna që e lidhin Mediun me disa personazhe të përfolura për abuzim dhe trafik. Ndërkohë që mësohet se ende nuk është ezauruar plotësisht çështja e trafikimit të fishekëve, por edhe një sërë çështjesh të tjera. Prokurorët kanë marrë paraprakisht dëshmitë e disa punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe disa dokumente të kësaj ministrie, ku një prej dokumenteve kryesore lidhet me filmimet dhe procesverbalin e hyrje-daljeve në Ministri midis datave 15-17 mars 2008. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se ministri do të pyetet në vazhdim hollësisht edhe në lidhje me këto të dhëna, ndërsa dëshmia e tij më vonë do të krahasohet me atë të disa vartësve të tij, të cilët kanë ofruar të dhëna shtesë.
Dëshmitë
Dy ditë më parë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është deklaruar “i pafajshëm” para dy prej prokurorëve të dosjes “Gërdeci”, ndërsa në procesverbalin e dëshmisë të firmosur edhe prej tij Mediu është deklaruar se përgjegjësia për vendndodhjen e fabrikës shpërthyese është në radhë të parë e Shtabit të Përgjithshëm. Ish-ministri është marrë në pyetje në mënyrë të hollësishme për gati 15 projektligje, urdhra dhe udhëzime që ai vetë i ka firmosur në lidhje me kontratën dhe ndërtimin e bazës së Gërdecit. Sakaq avokati i ish-ministrit Mediu, Ardian Visha, ka deklaruar për mediat dy ditë më parë se “Fatmir Mediu nuk ka bërë asnjë shkelje në detyrën e ish-ministrit të Mbrojtjes. Deklaruam gjithçka që ish-ministri Mediu di për ngjarjen e Gërdecit. Do të vijohet me procedurat e prokurorisë”. Ndërsa arsyen e zgjatjes së këtij procesi pyetjesh, Visha e ka cilësuar si një procedurë normale. Fatmir Mediu akuzohet se nuk ka marrë masa për të shmangur tragjedinë e Gërdecit, duke lejuar shkeljen e rregullave të sigurisë, duke firmosur kontratat me një firmë që nuk plotësonte kushtet në rastin e “Albademil”-it.

Ishte në kërkim për “vrasje të mbetur në tentativë”, arrestohet

Tiranë – Një 36 - vjeçar është arrestuar nga policia nën akuzën “Vrasjes me dashje të mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtjes pa leje dhe municioneve në bashkëpunim”. Burimet thanë se specialistët Kundër Krimit ndaj Jetës dhe Shëndetit, realizuan ndalimin e Edmond Muratajt, lindur dhe banues në Kashar. Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me vëllain e tij, shtetasin Bashkim Murataj, janë autor të vrasjes së mbetur në tentativë të shtetasit Pajtim Sula, ngjarje kjo e ndodhur me datë 14 Qershor 2008, në fshatin Kashar, për motive të dobëta. Ndërkohë nga puna hetimore e bërë u arrit gjetja në cilësinë e provës materiale (arma me të cilën dyshohet se është realizuar kjo tentativë vrasje, të cilën e kishte fshehur në afërsi të banesës) tip automatik mod. 56 dhe një krehër me fishekë. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësorë Tiranë.

Pranga dhunuesit të mjekut të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”

Tiranë – Ushtroi dhunë mbi mjekun, policia e vë në pranga brenda 24 orëve. Burimet thanë për gazetën se dje nga shërbimet e Komisariatit të Policisë të Nr. 4 Tiranë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Agustin Muceku, 22 vjeç, lindur në Burrel dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye sepse dy ditë më parë rreth orës 16:00, në ambientet e spitalit “Nënë Tereza”, dyshohet se ka goditur me grushte një mjek kirurg, i cili punon pranë kësaj qendre spitalore. U kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.

12 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›