Lul Berisha: “Jam i sëmurë, nuk vij dot në sallën e gjyqit”
Tiranë - Mungesa në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda e të pandehurit Lulëzim Berisha, i akuzuar si kreu i ish-bandës së Durrësit, është bërë shkak të enjten për shtyrjen e procesit gjyqësor ndaj anëtarëve të kësaj bande. Nëpërmjet një shkrese drejtuar gjykatës, Lulëzim Berisha njoftoi mospjesëmarrjen në seancën e sotme për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Ai iu nënshtrua disa ditë me parë një operacioni në apendicit në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë dhe më pas u transferua në Burgun e sigurisë së lartë 313 në Tiranë. Por, edhe pse gjendja shëndetësore e tij ka ardhur duke u përmirësuar, kjo nuk e ka lejuar të pandehurin Berisha të marrë pjesë në seancën gjyqësore të parashikuar për t’u zhvilluar ditën e sotme në ngarkim të ish-bandës së Durrësit. Të pandehur në këtë proces janë 17 persona, të cilët akuzohen për një sërë episodesh kriminale, mes tyre edhe vrasje të bëra vite më parë në qytetin e Durrësit. Shumë prej të akuzuarve si anëtarë të kësaj bande janë arrestuar këto dy vitet e fundit në sajë të operacioneve të organizuara nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka realizuar hetimet për veprimtarinë kriminale të ish-Bandës së Durrësit. Një ndër drejtuesit e Bandës është cilësuar dhe Indrit Dokle. Në fillimet e saj, anëtarët e bandës ishin të gjithë miq, por pas vrasjes së Klodian Saliut, bosit të lokal “Cikloar”, këta të fundit u përçanë. Indrit Dokle mori frerët e bandës që drejtohej nga Saliu dhe iu kundërvu Lulzim Berishës. Sipas prokurorisë Dokle, ka rekrutuar shumë persona dhe i ka paguar për të vrarë Lul Berishën, por që ai u ka shpëtuar të gjitha atentateve. Dokle dhe Berisha, si dhe “ushtarët” e bandave të drejtuara prej tyre, ndodhen së bashku në një kafaz. Për të shmangur ndonjë përplasje mes tyre gjatë seancave gjyqësore angazhohen forca të shumta policie, si dhe specialë të Repartit të Briskut. Pak ditë më parë në Durrës pas një atentati u vra vëllai tjetër i Klodian Saliut, një prej drejtuesve të Bandës. Policia po heton për serialin e vrasjeve, ndërkohë që shumica e bandës ndodhet në burg.
12 Shtator 2008