Vendim special i qeverisë, që justifikon spotin e paligjshëm
Habjon Hasani
Kur kryeministri Berisha ironizoi duke thënë “VIVA DUCE” tri ditë më parë denoncimin e spotit të tij antikorrupsion, vendimi i qeverisë për “rregullimin” e metodikës së reklamave shtetërore ishte shpallur ndërkohë në Fletoren Zyrtare. Bëhet fjalë për Vendimin Nr.1195, datë 5.8.2008 “Për blerjen, zhvillimin e bashkëprodhimin e programeve a të reklamave për transmetim ose botim nga organet e administratës shtetërore”. Në fakt ky vendim ishte një “modifikim” i një vendimi të vitit 2007, të marrë po nga qeveria “Berisha”, por që ka konsistuar në eliminimin e disa kritereve thelbësore. Ndonëse vendimi në fjalë nuk mund të justifikojë dot plagjiaturën e spotit argjentinas, duket se për të gjitha rrethanat e tjera ky vendim e zhvesh qeverinë nga të gjitha përgjegjësitë lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së nënkontraktorit. Ka një arsye të fortë që e “qetëson” qeverinë, e cila lidhet pikërisht me këtë vendim, që në një këndvështrim juridik dhe ekonomik i kthen detyrimisht të gjitha reklamat dhe spotet qeveritare në tendera me prokurim të drejtpërdrejtë.
Modifikimet
Rreth një muaj më parë “Albania” denoncoi vendimin në fjalë të qeverisë, që ndryshonte klauzolat e mënyrës së shpërndarjes dhe të metodikës së prokurimit të reklamave shtetërore. Në këtë vendim ishte eliminuar elementi i krahasimit të “ofertave” (pra i konkurrencës), por edhe zyrtarët që do të menaxhonin shpërndarjen e tyre me atë vendim ishin radhitur në një hierarki vertikale, ku gjithë procesin e drejtonte titullari i institucionit. Nga krahasimi del në pah fakti se në vendimin e djeshëm qeveria ka eliminuar kriterin e popullaritetit, lexueshmërisë, dëgjueshmërisë dhe të shikueshmërisë së mediave, çka ishte një element esencial në vendimin e vitit 2007.
Pasoja
Në rastin e spotit antikorrupsion duket se qeveria i ka “larë” duart nga përgjegjësitë e saj, pasi ajo (në bazë të vendimit që vetë ka miratuar) ka të drejtë të çojë ku të dëshirojë, në mënyrë arbitrare. Kësisoj, “velloja” e skandalit i ngelet vetëm firmës që e ka (ri)prodhuar. Madje dhe vetë firma është pjesë e skandalit, jo për nga mënyra se si ka mundur të kontraktohet nga qeveria, por për riciklimin që i ka bërë produktit të një tjetër firme (plagjiatura). Për krijimin e një spoti televiziv, ku premtohej angazhimi i kryeministrit Berisha në luftën ndaj korrupsionit, qeveria krijoi një vit më parë një grup të posaçëm pune. Madje u akordua edhe një fond i konsiderueshëm parash, të cilat do të shpenzoheshin për përgatitjen e një spoti që do të përçonte te audienca mesazhin antikorrupsion të qeverisë dhe të kryeministrit Berisha. Por, me sa duket, grupi i punës, përfshirë edhe vetë qeverinë, i kanë rënë për shkurt, duke mos krijuar një gjë të re, por duke kopjuar një spot televiziv, me përmbajtje antikorrupsion, që ishte shfaqur 2 vjet më parë në Argjentinë.
VENDIMI 2007
Oferta
“Në përzgjedhjen e ofertave komisioni bazohet në numrin e shikuesve/lexuesve të televizionit, radios apo të shtypit të shkruar, duke shfrytëzuar të dhëna nga autoritetet e specializuara publike, të cilat i bashkëlidhen raportit; në çmimin e dhënë; kur plotësohen kërkesat teknike, të përcaktuara nga komisioni i vlerësimit, çmimi më i ulët ka përparësi. Në rastet e ofertave të dyfishta (prodhim materiali dhe transmetim) për prodhim dhe transmetim ka përparësi numri i shikuesve/lexuesve të televizionit/radios apo shtypit të shkruar”.
VENDIMI 2008
Oferta
”Titullari i institucionit urdhëron, me shkrim, blerjen, zhvillimin, prodhimin apo bashkëprodhimin e programeve a të reklamave, transmetimin nga operatorët radiotelevizivë ose botimin në median e shkruar dhe procedurat për kontratat për kohë transmetimi për çdo rast, duke parashikuar objektin, nevojën e kryerjes së programit/ reklamës/ spotit, shpeshtësinë dhe periudhën e shfaqjes së tij, fondin limit, numrin e televizioneve dhe përbërjen e komisionit, për ndjekjen e procedurave”.
Braçe: Spoti, “hajduti, që thotë kapeni hajdutin”
I ashpër ka qenë komentimi i deputetit Erion Braçe dje në Parlament lidhur me spotin televiziv të qeverisë, që rezultoi një vjedhje e të drejtës së autorit. “Unë nuk po i referohem ndonjë afere shumë të madhe, por po i referohem kësaj të fundit, spotit dhe mënyrës se si është përgatitur ai për korrupsionin që i shkon më së miri asaj fjalës së urtë, besoj se edhe në Argjentinë, në spanjisht është e njëjta, që hajduti thërret ‘kapeni hajdutin’, dhe me çfarë, me një spot të vjedhur! Fillimisht në 2005-n nga familja e Gërdecit e kishin spotin të njëjtë dhe tani nga familja e Gërdecit vidhet po prapë i njëjti spot, dopio vjedhje me paratë e shqiptarëve dhe kryeministri i vendit edhe sot nuk kthen përgjigje. Nuk kthen përgjigje se sa para janë paguar për këtë spot dhe a ka të drejta të autorit, pas së cilës ka vjedhur këtë spot”, - ka deklaruar Braçe.
Ulqini: “Mediat, nën sulmin e hapur qeveritar”
Një tjetër deputet socialist, Musa Ulqini, ka kritikuar raportet gjithnjë e më të vështira mes medias dhe qeverisë në këto vite. ”Qëndrimi i qeverisë ndaj mediave vlerësohet gjithnjë e më shumë si një standard i munguar në funksionimin e sistemit demokratik në Shqipëri. Ky shqetësim u ngrit dje dhe në Senatin Amerikan gjatë diskutimit për miratimin e dokumentit që i hap rrugë anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO. Këtë shqetësim e shprehu mjaft qartë dje edhe ambasadori amerikan në Tiranë, zoti Uidhers, kur deklaroi se SHBA-të do të donin të shikonin masa që do të rrisin dhe jo të pengojnë lirinë e mediave. Në maj të vitit 2006, me iniciativën e drejtpërdrejtë të kryeministrit Berisha, u ndërmor hapi i parë për vënien në kontroll të mediave në Shqipëri. Me një nismë ligjore krejt djallëzore dhe në emër të forcimit të pavarësisë të institucioneve kryesore që janë përgjegjëse për zhvillimin e mediave publike e private në Shqipëri, u ndryshua me ligj përbërja e KKRT-së dhe e KD të RTSH-së, duke i vënë ato në kontrollin e qeverisë”, - tha Ulqini.
12 Shtator 2008