Kodi Zgjedhor dhe reforma në Drejtësi, në monitorimin e ndërkombëtarëve
Eljona Ballhysa
Ndërkombëtarët vazhdojnë të mbeten të shqetësuar kryesisht për ecurinë e katër reformave në Shqipëri, siç është Kodi Zgjedhor, reforma në Drejtësi, ligji për Prokurorinë si dhe media e lirë dhe e pavarur. Për këtë arsye ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, ka zhvilluar dje një takim kokë me kokë me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Burimet kanë bërë të ditur se temë e bisedimeve kanë qenë pikërisht këto katër çështje të mbetura ende pezull nga politika shqiptare. Mësohet se Bosh është takuar me Topin, pasi në rolin e tij si President i Republikës, garanton respektimin e Kushtetutës. Sipas burimeve nga ky takim mësohet se Bosh ka kërkuar respektimin e Kushtetutës në realizimin e këtyre reformave nga politika shqiptare.
Takimi
Po kështu ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Bosh ka garantuar presidentin shqiptar se kjo prezencë është e gatshme të ndihmojë politikën shqiptare me ekspertizën e saj në realizimin e reformave kyçe për vendin. “Prezenca e OSBE-së do të vazhdojë në mënyrë të palëkundur të japë ndihmën e saj për demokracinë shqiptare në drejtim të reformimit të sistemit të drejtësisë, të sistemit zgjedhor dhe institucioneve të pavarura kushtetuese si dhe për ruajtjen dhe konsolidimin e lirisë dhe pavarësisë së medias”,- është shprehur ambasadori Bosh në këtë takim. Ai gjithashtu ka vlerësuar rolin moderator dhe pozitiv të Presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe në respektimin e ligjit. Nga ana e tij Presidenti i Republikës Bamir Topi i shprehu mirënjohjen ambasadorit Bosh për ndihmesën e vazhdueshme dhe rolin e vyer të OSBE-së, duke nënvizuar kontributin e saj real për forcimin e demokracisë në vendin tonë dhe të institucioneve të pavarura kushtetuese. Po kështu Topi e ka falënderuar ambasadorin Bosh për ndihmën e dhënë nga OSBE në konsolidimin e shtetit ligjor, në arritjen e standardeve dhe përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë në strukturat euroatlantike.
Kushtet
Pikërisht realizimi i këtyre tre reformave të rëndësishme për vendin dhe garantimi i lirisë dhe pavarësisë së medias, janë dhe kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian për integrimin e Shqipërisë dhe për liberalizimin e vizave. Vetëm pak ditë më parë drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Pierr Mirel, gjatë një takimi të zhvilluar me kryeministrin Berisha ka deklaruar se Shqipëria duhet të realizojë me konsensus politik reformën zgjedhore dhe atë në Drejtësi. “Shqipëria, siç e kemi thënë edhe herë të tjera, duhet të vazhdojë reformat e qëndrueshme dhe të bindshme në zbatimin e MSA-së dhe në reformat kyçe politike. Dua t’i referohem në veçanti nevojës për të vazhduar përpjekjet e qëndrueshme për reformën zgjedhore, reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Gjithashtu, në lidhje me klimën e biznesit, dua të theksoj nevojën për zgjidhjen e çështjes të së drejtës së pronës, me qëllim rritjen e mëtejshme të investimeve. Mbi të gjitha mesazhi im kryesor ishte konsensusi politik për reformat politike prioritare”, - është shprehur përfaqësuesi i Komisionit Europian, Mirel.
12 Shtator 2008