E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ibraj në konferencën e bioterrorizmit

04/03/2005  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit merr pjesë në konferencën globale mbi parandalimin e bioterrorizmit. Drejtues Bajram Ibraj, me ftesë të sekretarit të Përgjithshëm të Interpolit, në krye të një delegacioni zyrtar të Policisë së Shtetit, asistoi në takimin e zhvilluar në Lion të Francës, në datat 1 dhe 2 mars. Konferenca mblodhi zyrtarë të lartë të policisë dhe agjenci të zbatimit të ligjit të përfaqësuara nga ekspertë të nivelit të lartë, që mbulojnë fushën e luftës kundër terrorizmit si dhe ata të sektorit publik. Merrnin pjesë përfaqësues nga 160 vende të botës si dhe përfaqësues të shumë organizatave që veprojnë në fushën e shëndetit publik. Kjo konferencë u ofroi të gjithë zyrtarëve të policisë informacionin e nevojshëm si dhe mbështetje për nevojat e tyre, për të qenë sa më të përgatitur në luftën kundër terrorizmit. Në fjalën përshëndetëse, sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, ka deklaruar se është hera e parë në historinë e kësaj organizate të mbledhë kaq shumë përfaqësues nga e gjithë bota si dhe ekspertë nga fusha të ndryshme. Në konferencë është shprehur vlerësimi maksimal për punën e bërë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol–Tirana, një nga 14 simotrat në botë, të cilat i kanë ofruar shërbimet e tyre në kalimet kufitare. Drejtues Bajram Ibraj ka zhilluar një takim të veçantë me sekretarin e Përgjithshëm të Interpolit, Ronald K.Noble. Drejtori i Përgjithshëm ka falenderuar Noble për ndihmën dhe asistencën që i është dhënë Policisë së Shtetit. U vlerësua në veçanti bashkëpunimi dhe ndihma e dhënë për zbatimin e sistemit të ri të komunikimit të informatizuar si dhe pajisja me teknikën e nevojshme bashkëkohore të Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, duke e përafruar atë më tepër me parametrat bashkëkohore. Bajram Ibraj, mësohet se ka patur një takim të veçantë edhe me inspektorin e Përgjithshëm të Policisë së Rumanisë, Kuestor Dan Valentin Fatuloiu. Biseda u përshkrua nga fryma e mirë e bashkëpunimit, për të cilin nga të dy drejtuesit është kërkuar një rritje e nivelit të bashkëpunimit për të luftuar veçanërisht krimin e organizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›