E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bie alibia "Musho", pasaportat nuk janë vulosur

04/03/2005  Prokuroria bën verifikimet në Portin e Durrësit për pasagjerët e 16 dhjetorit

Pasaportat e Agim Mushos dhe të Irena Selit nuk janë vulosur në pikën kufitare të Portit të Durrësit, më datë 16 dhjetor të vitit të kaluar, kur trageti i linjës Trieste-Durrës, ku ata ishin imbarkuar, ka mbërritur në Shqipëri. Nga verifikimet e kryera nga Prokuroria, rezulton se Musho nuk ka marrë vulë hyrëse në Portin e Durrësit dhe në listën e pikës kufitare nuk ekziston as emri i Irena Selit. Gjithashtu janë afro 50 persona, të cilët janë imbarkuar në Durrës me këtë target, më datë 16 dhjetor 2004 dhe nuk kanë marrë vula hyrjeje.

Verifikimi

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka verifikuar të gjithë personat që kanë udhëtuar prej Triestes në atë traget, nga ku ka rezultuar se afro gjysma e tyre nuk i kanë vulosur pasaportat për hyrjen në Shqipëri. Lajmi konfirmohet për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se verifikimi për këtë fakt është kryer pas deklarimeve të dhëna nga Musho, pas dyshimeve të lindura nga kontradiktat e thënieve të tij. Burimet thonë se, menjëherë pas dëshmisë së parë të dhënë nga Musho, në fillim të shkurtit, janë bërë verifikimet për të gjitha pohimet e tij. Kjo, pasi edhe në media ai ishte shprehur se, Irena ishte zhdukur, ndërsa kishte shkuar të merrte vulat hyrëse në pikën kufitare. Por në listën e personave, të cilët kishin marrë vulë hyrëse në datën 16 dhjetor të vitit të kaluar, nuk ekzistonte as emri i Agim Mushos dhe as ai i Irena Selit. Gjithashtu nga 102 pasagjerët, të cilët kishin hipur në traget në Trieste, afro gjysma e tyre nuk i kishin vulosur pasaportat, sqarojnë burimet e organit qendror të akuzës.

Hetimi

Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, mësohet të jetë përqendruar mbi verifikimin e kundërshtive të thënieve të Mushos. Kjo, pasi nga të gjitha verifikimet e kryera në vendet më të mundshme, të dyshuara se mund të strehohej Irena Seli, nuk ka rezultuar asnjë gjurmë e saj. Burimet e Prokurorisë së Përgjithshme thonë se, një nga nyjet ku është përqendruar hetimi, është edhe verifikimi se pse Musho nuk e ka vulosur pasaportën e tij në pikën kufitare të Portit të Durrësit. Burimet sqarojnë se po hetohet nëse Agim Musho nuk e ka vulosur me dashje pasaportën e tij, apo ka qenë një rutinë që procedohet shpesh nga emigrantët. Kjo e fundit bazohet edhe në faktin se, nuk ka qenë vetëm Musho dhe Irena Seli që nuk e kanë vulosur pasaportën, por edhe afro 50 emigrantë të tjerë, të cilët janë imbarkuar nga Trieste për në Durrës me të njëjtin traget.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›