E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përdhunohet në grup 16-vjeçarja

04/03/2005  Roland Maliqi bashkë me tre shokë masakrojnë të miturën

Refuzon të lidhet me të, e shpaguan "turpin" duke e përdhunuar kolektivisht. Roland Maliqi nga Fushë-Mëzezi kryen marrëdhënie seksuale me dhunë me D.M. së bashku me 3 shokët e tij. Viktima 16-vjeçare shkon te shtëpia e 24-vjeçarit, tashmë të arrestuar për t’u sqaruar lidhur me ngacmimet, por bie pre e epsheve të djemve. Kjo vepër parashikohet nga neni 101 dhe 25 i Kodit Penal.

Përdhunimi

Përdhunimi i 16-vjeçares mësohet se ka ndodhur rreth orës 17.00 të së mërkurës. Burime zyrtare nga Komisariati i policisë nr.4, u shprehën se ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e Roland Maliqit, i cili banonte në të njëjtën lagje me viktimën. "Rolandi më ngacmonte prej kohësh, por unë nuk e pranoja. Sot në mëngjes e takova rastësisht dhe m’u lut që të bisedonim. Në fillim nuk desha, por më pas u binda. Mendova se do të ishte më mirë të sqarohesha me të", ka dëshmuar viktima në Komisariatin nr.4. D.M., ka vijuar të rrëfejë se në Mëzez nuk mund të tolerohet nga opinioni që dy të rinj të bisedojnë lirisht në rrugë. Ndaj, adoleshentja nuk e paragjykoi përdhunuesin, kur ai e ftoi në shtëpinë e tij, kur të errësohej. Viktima shprehet më tej se nuk i kishte treguar askujt për takimin që do të bënte në mbrëmje. I frikej ndonjë thashethemi, i cili mund të ishte me pasoja të këqija për të. Në orën e caktuar nga Maliqi, D.M. kishte dalë nga shtëpia me pretekstin se do të shkonte tek një fqinjë. Ashtu vjedhurazi, ajo arriti të hynte deri në banesën e Roland Maliqit, i cili e kish pritur te porta. Por teksa hynte në dhomën e ndenjes, vajza kishte dëgjuar mes muzikës së lartë të televizorit, të qeshura e pëshpërima meshkujsh. Por, ajo nuk kishte patur mundësi të pyeste, pasi pak sekonda më pas, i zoti i shtëpisë dhe 3 shokë të tij e kishin tërhqeur me forcë deri në dhomën e gjumit. Muzika dhe zhurmat mbysnin ulërimat e 16-vjeçares, teksa 4 shokët e përdhunonin në kolektiv. Skena makabre mësohet se zgjati afro 30 minuta. Paskëtaj, ata e kishin lënë të lirë D.M. Me të mbërritur në shtëpi, ajo u kishte treguar gjithçka të afërmve, të cilët nuk hezituan të drejtoheshin menjëherë në Komisariatin nr.4.

Dëshmia

Policia ka arritur të vërë në pranga ideatorin e përdhunimit kolektiv, Roland Maliqin. Të tjerët nuk mundën të arrestoheshin, pasi të frikur nga denoncimi ia kishin mbathur menjëherë pas përdhunimit. Maliqi ka dëshmuar para oficerëve të policisë gjyqësore, se ai u ka propozuar shokëve të tij shfryrjen e epshit tek D.M. "Ajo më kishte turpëruar mua para të gjithëve. Pak kohë më pare, unë i dola përpara dhe i kërkova të lidhej me mua. Kisha ndërmend ta merrja për grua, nëse ajo pranonte. D.M. jo vetëm që nuk pranoi, por më shihte gjithë përçmim sa herë që më haste në rrugë. Nuk denjonte as të ndalonte, por vetëm shfrynte kur ndokush zinte në gojë emrin tim. Filluan të më tallnin gjithë shokët", ka nisur të rrëfehet para uniformave Roland Maliqi. Situata ka ndryshuar kryekëput pak kohë pas refuzimit të vajzës. Duke qenë se ajo nuk kishte dëshirë të bëhej gruaja e 24-vjeçarit, ai nuk e kish ngacmuar më. "Kërkova ndihmën e shokëve të mi, të cilët në fillim nuk donin të më mbështesnin. Por, D.M. është shumë simpatike dhe ata u bindëm se nuk do të ishte keq të bënin seks me të", shton ndër të tjera Roland Maliqi. Denoncimin e vajzës e përligj dhe aktekspertiza e mjekut ligjor, e cila konfirmon shenja të dukshme dhune në organet intime të 16-vjeçares si dhe njolla të tjera në pjesë të ndryshme të trupit. Sakaq, policia po punon për kapjen e 3 përdhunuesve të tjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›