E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrasja e Çullhajt në Londër,hetuesit anglezë sjellin prova të reja

04/03/2005  Dy hetuesit anglezë të “Metropolitan Police” në Londër, kanë mbërritur për herë të dytë në Tiranë për çështjen e vrasjes së Edmond Çullhajt, më 14 janar të vitit 2002. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilat thanë dje se, hetuesit londinezë kishin sjellë me vete prova të reja materiale në ndihmë të hetimit të kësaj vrasje. Burimet theksojnë se për këtë vrasje akuzohen Florian Metalla dhe Ermal Sinani, të cilët, tashmë janë të paraburgosur. Mësohet se hetuesit anglezë, të cilët prej dy ditësh ndodhen në Shqipëri, kanë sjellë me vete prova të reja për të mbështetur akuzën e kolegëve shqiptarë. Burimet thonë se bëhet fjalë për deklarime të reja të dëshmitarëve okularë të vendngjarjes, të cilët janë anglezë dhe shqiptarë. Të tjera prova që prokurorët e huaj kanë vënë në dispozicion të hetuesve të Krimeve të Rënda, janë përgjime të reja telefonike dhe pamje vizive të siguruara nga kamerat. Burimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, theksojnë se me vënien në dispozicion të provave të reja, të cilat janë bashkangjitur me ato të parat, krijohet një tablo e plotë e aktivitetit të të akuzuarve të sipërpërmendur. Kështu mësohet të jenë sjellë informacione dhe prova që argumentojnë aktivitetin e tyre kriminal në Angli, gjatë periudhës që kanë qëndruar atje si dhe lidhjet e tyre me krimin. Ndërkaq, mbi Florian Metallën rëndon edhe një tjetër akuzë e rëndë. Ai akuzohet si bashkëpunëtor në pengmarrjen e Fatjon Demirlikës, korrikun e vitit kaluar, në këmbim të 100 mijë eurove. Burimet e Prokurorisë përfundojnë se dosja hetimore për vrasjen e Edmond Çullhajt në janarin e 2004-ës është drejt përfundimit dhe së shpejti do të përcillet për shqyrtim në gjykatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›