E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora, probleme nga Veriu në Jug

Komuna të bllokuara, udhëtarët mbeten në mes të të ftohtit për disa orë. Rrugorët, në gatishmëri
Reshjet e dendura të dëborës që kanë përfshirë pjesën më të madhe të territorit të vendit kanë krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë, dhjetëra komuna në Verilindje vazhdojnë të mbeten të izoluara, por fatmirësisht nuk raportohen emergjenca shëndetësore. 
Kukës Mbrëmjen e së shtunës, dhjetëra automjete janë bllokuar për rreth tri orë në Qafë Mali. Trashësia e dëborës në këtë zonë arrin në 40 cm, por fadromat borëpastruese kanë ditë që nuk qarkullojnë në këtë aks rrugor. Mbrëmjen e së shtunës, dy kamionë të mëdhenj, në pamundësi për t’u shkëmbyer, kanë bllokuar dhe dhjetëra pasagjerë e mjete transporti mallrash. Drejtuesit e automjeteve janë përpjekur ta hapin rrugën me mjete rrethanore dhe vetëm pas tri orësh është bërë i mundur qarkullimi i automjeteve dhe udhëtarëve. Ndërkohë, rreth 20 fshatra të thellë malorë në Qarkun e Kukësit vazhdojnë të mbeten të izoluar. Në Komunën Grykë çajë, trashësia e dëborës arrin deri në 80 cm dhe sipas banorëve, lëvizja e automjeteve është plotësisht e pamundur prej disa javësh. Nga raportimet e pushtetit vendor, fatmirësisht nuk janë njoftuar emergjenca shëndetësore apo ushqimore. Banorët tregojnë se furnizimin me ushqime dhe bazë ushqimore për bagëtitë i kanë siguruar me kohë, ndërsa furnizimet e rastit i bëjnë me kafshë pune.
Korçë
Fshati Dardhë prej dy ditësh qëndron i bllokuar, si pasojë e reshjeve të dëborës. Deri mesditën e djeshme, aksi rrugor ka qenë i pakalueshëm dhe qindra turistë kanë mbetur të izoluar. Disa mjete borëpastruese kanë punuar për zhbllokimin e rrugës. Ndërkohë, ekipet e skiatorëve që kanë nisur kampionatin në Bigëll të Dardhës, kanë qëndruar për të paktën 3 orë në dëborë nga bllokimi i rrugës deri në hapjen e saj vetëm në njërin krah. Reshjet e dëborës kanë bllokuar rrugën drejt fshatit turistik, ndërsa me zinxhirë ka qenë e kalueshme rruga drejt fshatit Voskopojë. Vetëm në mesditë situata në rrugë është përmirësuar nga shkrirja e dëborës, ndërkohë që disa segmente kanë qenë problematike për shkak të vështirësive për qarkullimin rrugor. Trashësia e dëborës në zonat e larta malore ka shkuar në 40 cm, ndërkohë që rrugët nacionale janë mbajtur nën kontroll për të mos lejuar bllokimin e tyre. Ndërkohë, Qafa e Plloçës ka paraqitur sërish vështirësi për shkak të kalimit në një korsi pas rrëshqitjes së një masivi dhe shembjes së rrugës.
Shkodër
Reshjet e dëborës dhe ngricat vazhdojnë të mbajnë të izoluar dhjetëra fshatra në zonat e thella malore të Qarkut Shkodër. Mbi 15 mijë banorë mbeten të izoluar, ndërsa rrugët nacionale të qarkut kanë qenë të kalueshme me zinxhir, me përjashtim të rrugës së Vermoshit dhe asaj të Dukagjinit, që janë plotësisht të bllokuara nga dëbora.
Gjirokastër
Reshjet e dëborës që kanë përfshirë rajonin jugor të vendit, qysh nga mëngjesi i së dielës, kanë shkaktuar probleme të shumta për banorët, sidomos për fermat blegtorale të të imtave që janë gjetur të papërgatitur në rezerva ushqimore. Ndërkohë, qarkullimi i automjeteve në Qafën e Muzinës ka qenë i vështirë, por i kalueshëm. Probleme më të mëdha janë shfaqur në akset rrugore rurale, që ndodhen mbi 600 metra mbi nivelin e detit. Komunat e Zagorisë në Gjirokastër dhe Frashërit në Përmet janë bllokuar si pasojë e reshjeve të dëborës, ndërkohë që policia rrugore ka kaluar në gatishmëri të përforcuar dhe janë shpërndarë në të gjitha komunat ku ka probleme, për të shmangur aksidentet e mundshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›