E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet trafikanti 46-vjeçar

Për prostitucion

Seksioni kundër trafiqeve në Policinë e Tiranës ka arrestuar gjatë pasdites një shtetas me akuzën për shfrytëzim prostitucioni. Në kuadër të operacionit të koduar “Udine” specialistët e seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme kanë arrestuar shtetasin Agim Imeri, 46 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Imeri, sipas të dhënave të policisë, dyshohet se përreth 4 muaj ka shfrytëzuar për qëllime prostitucioni një 23-vjeçare. Denoncimi për këtë rast është bërë nga vetë e dëmtuara. Ajo ka deklaruar se shtetasi Agim Imeri e ka trafikuar në Udine të Italisë nëpërmjet Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë dhe në fund e ka çuar për ta shfrytëzuar në Itali. Sipas policisë, seksioni i antitrafikut kishte rreth 3 muaj që e ndiqte Imerin. Kapja e tij u bë gjatë pasdites së djeshme në zonën e Kombinatit në kryeqytetit. Në cilësinë e provës materiale gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij u gjend edhe një pistoletë e kalibrit 9 mm dhe disa fatura bankare që i përdorte për aktivitetin e tij kriminal.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›