Shqiptari ekzekuton të dashurën greke
Grekja 25-vjeçare bashkëjetonte me një të ri nga Shqipëria. Arrestohet dhe pranon krimin
Një 25-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, u gjet e vrarë në Greqi, kurse i dashuri i saj shqiptar u zhduk menjëherë pas gjetjes së trupit të së ndjerës, vrarë me armë gjuetie rreth një muaj më parë. Por vetëm dy ditë më parë ai është arrestuar dhe ka pranuar krimin. Ngjarja ka ndodhur në Astako të Greqisë, ku dhe është gjetur kufoma e 25-vjeçares, një shtetase greke, e cila jetonte në zonën e Makrinias. Policia e rajonit të Etolisë, që mbulon dhe zonat e Astakosë dhe Makrinias, tha se 25-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, ishte qëlluar me armë zjarri në kokë. Më pas, trupi i saj ishte hedhur në disa shkurre në pyllin e Ligovicës, jo larg vendbanimit, 4 ditë para gjetjes. Viktima bashkëjetonte prej disa kohësh në fshatin Mataranga me një të ri shqiptar, 31-vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Agjencitë greke të lajmeve bëjnë të ditur se viktima, para se të lidhej me emigrantin shqiptar, jetonte në Kardhica, ku ishte ndarë me të shoqin, një shtetas grek, me të cilin kishte dhe dy fëmijë. Ajo punonte në klubet e natës së zonës së Makrinias, ku edhe u njoh me të riun nga Shqipëria. Hetuesit thanë se që në fillim të hetimeve dyshuan se 31-vjeçari ishte autori i ngjarjes së rëndë. Ndërkohë, arrestimi i emigrantit është bërë në një kohë rekord. Gruaja u gjet e vdekur me plumb në kokë në datën 17 janar të këtij viti, afër fshatit Astako në Etoloakarnania. Policia dyshonte se ajo ishte qëlluar nga i dashuri i saj, i cili u zhduk menjëherë krejt papritur, ndaj dhe ishte i dyshuari i parë i policisë. 31-vjeçari shqiptar e kishte ekzekutuar vajzën katër ditë para se të gjendej trupi i saj nga një gjuetar. Sipas deklarimeve të emigrantit, ata u takuan me vajzën në një kafene në Agrinio, ku edhe punonte. Ai deklaroi se u deh dhe pak më vonë, pasi u gjetën të vetëm në një zonë të pabanuar, shkëmbyen fjalë, të cilat sollën nevrikosjen e të riut, i cili mori çiften që kishte në makinë dhe e qëlloi vajzën për vdekje.
#