Kapet banda që grabiste çantat e femrave
Katër të rinjtë e prangosur ishin kthyer në tmerr për banorët e disa lagjeve në kryeqytet
Prej kohësh ishin shndërruar në tmerr të femrave, sidomos në orët e vona të natës. Duke lëvizur me motorë të vegjël dhe duke shfrytëzuar rastin në rrugë të errëta, grabisnin, duke ushtruar shpesh edhe dhunë, çantat e femrave. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës janë arrestuar katër persona, të cilët akuzohen për vjedhje me dhunë. Pardje në mesditë, Policia e Komisariatit nr. 1 në Tiranë ka realizuar pas një hetimi dhe gjurmimi disamujor, kapjen në flagrancë të Franc çuedarit, 19 vjeç, i lindur dhe banues në Allias, i dënuar më parë për vjedhje me 6 muaj burg, Bledi Lartin, 19 vjeç, lindur në qytetin e Korçës dhe banues në Tiranë, i dënuar me 10 muaj burg për vjedhje, si dhe shtetasin me inicialet R.H, 17 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, dhe ky i dënuar më parë për vjedhje. Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet shtetasi me inicialet A.D., 24 vjeç. Të gjithë këta persona dyshohet se në bashkëpunim kanë kryer disa vjedhje me dhunë në zona të ndryshme të Tiranës, duke pasur si objektiv përgjithësisht çantat e grave. Sipas të dhënave zyrtare të policisë vazhdon puna për vërtetimin dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar një motor me të cilin dyshohet se të arrestuarit kryenin grabitjet. Të gjitha materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë për akuzën “vjedhje në bashkëpunim”. Dy muaj më parë, po forcat e Komisariatit nr. 1 në Tiranë, arrestuan dy të rinj, të cilët përdornin të njëjtën skemë me motor për të grabitur me dhunë çantat e femrave, që ktheheshin në banesë orëve të natës.
#