Kryebashkiaku i Fierit: Projektet që djeg rrëzimi i buxhetit
Investimet
Baftjar Zeqo reagon pas bllokimit nga këshilli bashkiak
Rrëzimi i buxhetit të vitit 2010 nga këshilltarët e së djathtës jo vetëm që do të paralizojë aktivitetin ekonomiko-financiar të bashkisë, por do të kthejë qytetin e Fierit në një vatër protestash. çështja tashmë do të përballet në rrugë ligjore dhe rrezikon që për më shumë se një vit, Bashkia e Fierit të mos realizojë asnjë projekt. Më të rrezikuar, sipas kryetarit të Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, janë projektet e mbështetura nga donatorët e huaj. “Janë disa aktmarrëveshje të lidhura nga viti 2005 deri në vitin 2010 me donatorë shumë seriozë. Rrezikohet një aktmarrëveshje për banesat sociale, i nënshkruar në vitin 2008 me shumën 67 milionë lekë të reja kjo është me Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim. është marrëveshja e ndërtimit të shkollës së mesme me 160 milionë lekë, e nënshkruar në vitin 2009 me Bankën Botërore. është projekti holandez me 20 milionë lekë të reja, për një qytet të pastër. Dua të theksoj më tutje që ndërmarrja e pastrimit do të jetë një ndërmarrje e fuqizuar, e mbështjellë me ndihmën e qeverisë holandeze. Ne duam që në Fier të krijojmë modelin e qytetit të pastër. është një projekt tjetër që Fieri do të aplikojë, që quhet ‘Eficienca e energjisë’,ie nënshkruar në vitin 2009 me 8.2 milionë lekë, edhe kjo nga qeveria holandeze. është projekti i rikonstruksionit total të bulevardit “Jakov Xoxe” me 80 milionë lekë. Të gjitha këto projekte ose aktmarrëveshje të nënshkruara tashmë kapin shumën 450 milionë lekë investime, që do të bëhen në Fier gjatë vitit në vijim”, sqaroi kryetari i bashkisë. Pasi renditi projektet e vëna në rrezik, Zeqo thotë se kundërshtarët politikë po shkelin çdo parim profesionalizmi për të sulmuar institucionin e bashkisë dhe për këtë shembulli më i qartë është rrëzimi i buxhetit dy ditë më parë.
#