Vrasja e trefishtë në Durrës, ende pa të dyshuar
Hetimet
Ende asnjë i dyshuar për vrasjen e Durrësit. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se lista e personave të dyshuar po përpilohet me kujdes dhe po bëhen verifikimet përkatëse bazuar në kompleksitetin e ngjarjes dhe viktimave të saj. Drejtues të Policisë së Durrësit pohuan për gazetën se mungojnë emrat konkretë mbi vrasjen e Luan Currit, Ani Currit dhe Edmond Shemsit, ndonëse të gjitha shërbimet e policisë së krimit kundër personit janë fokusuar në zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi qytetin bregdetar në natën e vonë të së mërkurës. Gjithçka flet për një krim të mirëpërgatitur deri në detaje. Pas largimit me motor, ekzekutori, që dyshohet të ketë qenë vrasës me pagesë, për nga mënyra si ka vepruar dhe heshtja e gjakftohtësia që e ka karakterizuar në krim, mendohet se ka përdorur edhe automjete të tjera për të humbur gjurmët dhe mos rënë në duart e shërbimeve policore, të cilat janë aktivizuar në postblloqe të shumta vetëm pak minuta më pas.
#