E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet e banka, keqbërësit kapin “gafil” rojet e sigurise



Luan Kondi

Tiranë – Kanë shfrytëzuar temperaturën e lartë për të kryer vjedhjen më të shpejtë në të gjithë kohërat në Shqipëri. Tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë dje rreth orës 12:00 në ambientet e një banke private që ndodhet në kilometrin e tetë të autostradës Tiranë – Durrës.
Grabitja
Punonjësit u tmerruan kur panë se mbi ta u drejtuan kallashnikovë dhe pistoletat e keqbërësve. Vetëm atëherë ata kanë kuptuar se kishin të bënin me grabitje. “Lekët” kanë kërkuar të panjohurit dhe punonjësit nuk kanë mundur të bëjnë asgjë tjetër veçse të nxjerrin nga arka gjithë ç’kanë pasur dje. Fatmirësisht gjatë aksionit të keqbërësve nuk ka pasur asnjë të lënduar, gjë që tregon se qëllimi i tyre ka qenë marrja e sasisë në lëkë apo valutë që dispononte bankë. Burime të sigurta nga vendngjarja thanë për gazetën se aksioni i grabitësve ka zgjatur më pak se 5 minuta. Personat kanë marrë lekët në një çantë dhe kanë dalë nga ambientet ku kanë kryer vjedhjen nën kërcënimin e armëve dhe janë larguar. Sapo kanë dalë jashtë një punonjës i bankës ka telefonuar në polici dhe menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të uniformave blu, të cilët nuk kanë bërë asgjë tjetër veçse kanë pyetur personelin për ngjarjen, ndërsa keqbërësit janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur. Ende policia është në veprim për kapjen e tyre, madje ajo ka kryer krehjen e zonës, por deri tani nuk ka mundur të gjejë asgjë që të lidhet me grabitësit e bankës private.
Provat
Kamerat e sigurisë kanë regjistruar gjithë skenën e grabitjes por kjo do të përdoret nga ekspertët për të nxjerrë identikitin e personave të maskuar për të cilët përveçse gjatësisë dhe fjalëve që kanë shqiptuar gjatë grabitjes nuk kanë asnjë të dhënë tjetër. Policia ka pasur edhe një të dhënë për një makinë të braktisur në autostradë, por pasi ka shkuar në vendin që i korespodonte informacionit të marrë, por gjithçka rezultoi jo e vërtetë. Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë/Armë po punon intensivisht për të bërë të mundur identifikimin dhe lokalizimin e autorëve, si dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ndodhen drejtues të Policisë së Tiranës, grupi hetimor i përbërë nga ekspertë kriminalist, specialistë të seksionit të Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë, shërbimet policore të komisariatit të policisë Nr. 6 Tiranë. Ekspertët kanë grumbulluar dhe marrë të gjitha provat, me synim identifikimin dhe dokumentimin ligjor të kësaj vjedhje.
Janë marrë në pyetje punonjësit e bankës për të përcaktuar shumën e saktë të parave të vjedhura, ndërkohë që po punohet për të arritur sa më shpejt në identikitin e autorëve të dyshuar dhe kapjen e tyre, për këtë janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë. Ende nuk është bërë e ditur mënyra se si janë nxjerrë jashtë lojë rojet e sigurisë së bankës, të cilët mbajnë përgjegjësi për ruajtjen e saj.

2 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›