OSBE-ja, vetëm një prej problemeve të qeverisë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shfaqur shumë të shqetësuara lidhur me revanshin institucional të shumicës, ndërsa duket se qeveria shqiptare nuk jep dot asnjë garanci për zgjedhjet e ardhshme. Gazeta “Albania” ka mundur të kontaktojë disa gazetarë shqiptarë, që dy ditë më parë kanë takuar zyrtarin e lartë amerikan, i cili në takim ka shprehur shqetësime serioze për disa çështje kyçe. Ndërsa çështja e zgjedhjeve është ajo më e ngutshmja, një tjetër problem themelor në lidhje me qeverinë shqiptare është vërejtur në sistemin e drejtësisë. Në bazë të deklarimeve të diplomatit amerikan, në epiqendër të këtij problemi është çështja e Gërdecit. “Albania” mësoi se pas letrës që kryeparlamentarja Topalli i shkroi kryeprokurores Ina Rama dhe pas qëndrimit të Ambasadës mbi këtë çështje u krijua një klimë shumë e vështirë. Sikurse e do procedura, Ambasada ia ka kaluar Departamentit të Shtetit korrespondencën e saj me Topallin si dhe korrespondencën e kryeparlamentares me kryeprokuroren. “Ata as e imagjinonin se një kryetare parlamenti mund t’i kishte dërguar një letër të tillë kryeprokurores së vendit. Ajo ishte një letër horror”, - mësohet të ketë thënë zyrtari i lartë i Ambasadës Amerikane në takimin me gazetarët dy ditë më parë. Një problem shumë shqetësues për zyrtarin amerikan paraqet dhe përgatitja e terrenit për dobësimin e kompetencave të Prokurorisë apo dhe për kontrollin mbi të. Sipas diplomatit amerikan në Tiranë, ”Ambasada po ndjek me shumë vëmendje ecurinë e projektligjit, ndërsa ka një mungesë arrogante transparence nga ana e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me pika shumë jetike për pavarësinë dhe integritetin e këtij institucioni”. Qëndrimi i maxhorancës dhe sidomos i Ekzekutivit ndaj institucioneve të drejtësisë po shihet nga Ambasada Amerikane si një “frymë e errët”, që cenon direkt dhe zbardhjen e ngjarjes së Gërdecit, ku sipas diplomatit amerikan, “Shtetet e Bashkuara janë shumë të interesuara për zbardhjen deri në fund të saj, pavarësisht se deri sa larg do të shkojë përgjegjësia apo niveli i personave të implikuar”
2 Gusht 2008