E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet veterineri, lejoi 23 000 kg mish të skaduar

28/01/2011  Në portin e Durrësit, malli vinte nga Argjentina. Priten të tjerë arrestime

DURRES- Veterineri i portit të Durrësit, i cili detyrohet të ushtrojë kontroll për të gjitha mallrat me origjinë shtazore të importuara nga vende të ndryshme është arrestuar dje paradite. Eugen G. 40 vjeç është bërë objekt i një operacioni të organizuar nga Policia e Rendit, strukturat e luftës kundër krimit ekonomik e financiar, dega e doganës së Durrësit dhe njësia Task-Forcë. Shkak është bërë dhënia e një certifikate veterinare për një sasi mishi që ishte importuar, sasi që sipas policisë, është jashtë standardeve të konsumimit. Gashi është një ndër të arrestuarit, por pohime zyrtare të policisë, thonë se të tjerë persona që ushtrojë detyra në administrata të ndryshme do të përballen me drejtësinë.

Mishi

Dy javë më parë një sasi prej 23.132 kg mish viçi është bllokuar në portin e Durrësit, pasi gjatë kohës së realizimit të praktikës është vërejtur se mishi nuk plotësonte treguesit për t’u shitur. Malli ishte nisur nga Argjentina dhe se sasi në 23 ton thuhet se ishte mish viçi. Alarmi që është dhënë në muajin dhjetor dhe në fillim të muajit janar për bllokimin e importit të produkteve me origjinë shtazore nga disa vende edhe të BE-së për shkak të rrezikut të virusit A1 N1 H1 ka shtuar masat e kontrollit në të gjitha pikat hyrëse. Porti i Durrësit ka vendosur shërbim të rregullt veterinar, autoriteti kryesor që do të lejonte ose jo tregtimin e mallit të importuar. Shtetasi Eugen G. akuzohet se ka shkelur detyrën në kohën që ka lëshuar një certifikatë veterinare me vulë të Agjencisë së Konsumit të Ushqimeve për mishin e importit të bllokuar. Dogana dhe njësia Task-Forcë kanë parë të gjitha procedurat e ndjekura nga porositësi dhe transportuesi i mallit dhe vetëm pasi ata kanë hedhur dyshime të forta kanë denoncuar rastin duke e dërguar çështjen në Prokurori. Strukturat kundër krimit ekonomik e financiar kanë arrestuar shtetasin Eugen G., por në rrugë zyrtare policia e Durrësit ka thënë se do të ketë të tjerë persona të penalizuar në mos edhe të arrestuar për një gjë të tillë. Kontenieri që kishte si ngarkesë 23.132 kg mish të pretenduar të skaduar ishte pikasur që në kohën kur është realizuar praktika e mallit. Mishi është prodhuar më datë 8 korrik 2008 dhe afati i përdorimit ishte njëvjeçar. Në faturën, e cila është shoqëruese e mallit dhe që është bllokuar nga policia, cilësohet se mishi skadonte më datë 8 korrik 2009. Kompania që ka porositur mallin nuk është bërë e ditur, pasi policia ka thënë se është nën hetim së bashku me disa njësi, të cilat dyshohet se kanë shitur mish të skaduar edhe herë të tjera. Disa magazina dhe lokale tregtimi janë bërë objekt kontrolli në përpjekje për të bllokuar ndonjë sasi tjetër të mishit të skaduar. Mishi i gjetur në kontenierin e bllokuar ishte fileto dhe i futur në pako. Secila prej këtyre pakove peshonte 20.4 kg dhe e gjithë kjo sasi në mbi 23 mijë kg. Ishte llogaritur të shitej në tregun shqiptar. Për këtë arsye ka nisur edhe marrja në pyetje e disa personave që mendohet se kanë lidhje me ngarkesën e bllokuar, por edhe me këtë lloj aktiviteti të kundërligjshëm e të rrezikshëm për jetën e konsumatorëve. Veterineri Eugen Gashi ka marrë përsipër të lëshojë certifikatën veterinare, ndërsa persona të interesuar për ta bllokuar mishin e skaduar kanë njoftuar strukturat përkatëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›