E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet vrasësi i 17-vjeçarit, ishte në kërkim prej një viti

Xhevit Morina akuzohet për vrasjen me armë të kushëririt të tij, Besim Morina

Tiranë - Drejtoria e Policisë së Kukësit arrestoi një person shumë të kërkuar për një vrasje të ndodhur një vit më parë. Ai ishte në listën e dhjetë më të kërkuarve në këtë qark dhe policia, pas informacioneve operative, ndaloi në fshatin e tij të lindjes shtetasin Xhevit Morina, i akuzuar për vrasjen me armë automatike të një adoleshenti të afërm me të dhe kërcënimin me vdekje të dy personave të tjerë. Konflikti ka ndodhur në vitin 2008, kur i arrestuari është përplasur me tre adoleshentë të afërm me të për pronësinë në pyllin e fshatit. Pas debatit ai ka përdorur armën, një automatik kallashnikov, duke vrarë një 17-vjeçar dhe kërcënuar me jetë dy të tjerë.
Ngjarja
Krimi brenda familjes goditi më 7 shkurt të vitit 2008 qytetin verior të Krumës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:00 në fshatin Pus i Thatë të rrethit të Hasit, kur 3 druvarë, kushërinj mes tyre, u grindën për shkaqe pronësie, sherr i cili përfundoi me vrasjen e adoleshentit 17-vjeçar Besim Morina. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se veprimi makabër u krye nga Xhevit Morina, i ndihmuar edhe nga një person tjetër. Po sipas policisë, këta persona dyshohet se kanë ekzekutuar me armë zjarri 17-vjeçarin. Policia nuk dha shumë hollësi për shkakun e tragjedisë, por u tha se gjithçka kishte ndodhur pas një sherri banal mes kushërinjve, ndërkohë që është vënë në kërkim të kushërinjve vrasës të viktimës.
Rasti
Më 2 korrik të vitit 2009 një ngjarje e rëndë tronditi fshatin Shkallë të Durrësit. Burime policore thanë atëherë se një copë tokë ishte bërë shkak i konfliktit mes dy kushërinjve, që përfundoi në një vrasje me armë zjarri. Rreth orës 16:35 të 2 korrikut, Jak Djaloshi vrau me çifte kushëririn e tij, 35-vjeçarin Dritan Djaloshi. 35-vjeçari mbeti i vdekur në vend, ndërsa autori i krimit shkoi në shtëpinë e tij, ku konsumoi një sasi fostoksine dhe u largua nga banesa. Lajmin e konfirmoi bashkëshortja e tij, ndërsa policia mundi të gjejë ambalazhin e lëndës helmuese. Në kushtet e tronditjes së thellë psikike, Jaku mori arratinë. Një skuadër speciale e policisë shkoi me urgjencë në vendngjarje, duke marrë me vete edhe dy qen me nuhatje të lartë për operacione kërkim-shpëtimi. Pas gati 90 minutash arratie, njëri prej qenve e gjeti vrasësin në mes të ferrave. Ai kishte humbur ndjenjat nga helmimi, por ishte akoma gjallë. Në gjendje kritike për jetën Jak Djaloshi u transportua me urgjencë për në spitalin Rajonal të Durrësit, ku ndërroi jetë brenda një kohe të shkurtër.

Korçë-Lushnjë

Një i vdekur dhe gjashtë të plagosur në aksidente

Një i vdekur dhe gjashtë të plagosur është bilanci i dy aksidenteve që ndodhën në Korçë dhe Lushnjë. Aksidenti i parë ndodhi në aksin rrugor Sheqeras-Libonik të Korçës, pranë urës mbi lumin Devoll, kur automjeti me targa CF 381 NZ, që drejtohej nga 41-vjeçari Eduart Isai, ka dalë nga rruga dhe pas përplasjes me bordurën e urës ka rënë në lumin Devoll. Për pasojë ka mbetur e plagosur Loreta Isai, 34 vjeçe, Adriana Hamzallari, 40 vjeçe, Ali Bacelli, 63 vjeç dhe Anila Tahirllari, 33 vjeçe. Të dëmtuarit u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal në Korçë dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga Policia e Qarkullimit Rrugor u kryen veprimet procedurale dhe u shoqërua në polici drejtuesi i mjetit për veprën penale të ”shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Një tjetër aksident automobilistik ndodhi dje në aksin Fier-Lushnjë, ku një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën. Ngjarja ndodhi teksa automjeti tip “Benz” me targa TR 0528C është përplasur me një bankinë në aksin Fier-Lushnjë. Si pasojë ka humbur jetën në vend shtetasi Gjergj Prenga ndërsa janë plagosur Fatmir Deda dhe Luigj Kola. Policia ka konstatuar se shkak i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia e madhe më të cilën lëvizte automjeti.

19 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›