E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Gjykatës së Lartë: “Trupa gjyqësore, e vendosur për të rikthyer besimin”



Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, ka pritur dje në një takim së bashku me anëtarët e Gjykatës së Lartë, juristin dhe gjyqtarin e shquar amerikan, Paul Magnuson. Në fjalën e tij Magnuson, si një mik i Gjyqësorit shqiptar, u shpreh se Gjyqësori shqiptar po bën çdo ditë e më shumë përpjekje për të arritur standardet e kërkuara dhe se roli i gjyqtarit në zgjidhjen e çështjeve ka rëndësi të jashtëzakonshme. Më tej, gjatë fjalimit të saj, kryetarja Beçaj duket se ka shfrytëzuar takimin për të mbajtur edhe një qëndrim në lidhje me akuzat e ngritura kohët e fundit në drejtim të gjykatës që ajo drejton. Sipas njoftimit për shtyp mësohet se kryetarja e Gjykatës së Lartë, Beçaj, është shprehur se reformimi i mëtejshëm i sistemit gjyqësor shqiptar, arritja e standardeve bashkëkohore dhe fitimi i besimit të publikut te drejtësia është sfida më e madhe që kanë përpara. “Gjykata e Lartë e sheh me përgjegjësi të lartë qenien e saj në krye të sistemit gjyqësor shqiptar. Reformimi i mëtejshëm i sistemit gjyqësor shqiptar, arritja e standardeve bashkëkohore dhe fitimi i besimit të publikut te drejtësia, është sfida më e madhe që ne kemi përpara”, - ka thënë në fjalën e saj Beçaj.

Tiranë

Prokuroria çon në gjyq 4 ish-agjentë doganorë

Prokuroria përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq 4 ish-punonjës të Doganës së rrethit të Tiranës, që akuzohen për abuzime lidhur me procedurat e zhdoganimit të automjeteve. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës konfirmuan dje për gazetën “Albania” se kanë regjistruar për shqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë çështjen penale në ngarkim të shtetasve, Engjëll D., Olgert I., Xhevdet M., dhe Ylli Sh., të akuzuar për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” dhe “korrupsion”. Të katër ish-punonjësit e doganës së Tiranës dyshohen se për qëllime përfitimi kanë zhdoganuar disa makina, përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Ata u arrestuan më 14 prill të vitit 2009, në një operacion të mirorganizuar nga policia e kryeqytetit dhe njësia “Task-Force” e ngritur në Prokurorinë e Rrethit Tiranë për luftën kundër krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionit. Nga të njëjtat burime mësohet se hetimet për këtë çështje kishin nisur që në fillim të vitit 2009, kur organet e hetimit siguruan disa informacione të vlefshme, të cilat komprometonin aktivitetin e ish- agjentëve doganorë. Procesi gjyqësor ndaj tyre pritet të nisë së shpejti.

Tiranë

Dobjani, vizitë në Kosovë, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, po zhvillon një vizitë në Kosovë me ftesë të homologut të tij, Sami Kurteshi. Sipas një njoftim zyrtar për mediat mësohet se Dobjani ka zhvilluar dhe takime të tjera me drejtues të lartë të shtetit të Kosovës. Njoftimi vijon më tej se Dobjani është pritur në takime të çanta nga presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe kryetarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj Supreme të Kosovës. Në njoftim thuhej gjithashtu se Avokati i Popullit, Dobjani, ka nënshkruar një marrëveshje me Kurteshin për bashkëpunim ndërinstitucional.

Tiranë

Ekstradohet nga Turqia i kërkuari për vrasje

Ekstradohet nga Stambolli drejt Shqipërisë Engell??????????? Zeqo, i kërkuar nga Drejtësia shqiptare për veprat penale të vrasjes me dashje dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake. Zeqo është dënuar nga Gjykata e Fierit në dhjetor të 2002-shit në mungesë me 15 vjet burg për vrasjen e Fatos Kalemit. Ai është arrestuar në Stamboll pas 7 vitesh kërkim nga Interpoli, ndërsa strehohej në Turqi me identitet të rremë. Në momentin e arrestimit Zeqo ka pretenduar se nuk ishte ai personi që kërkonin, ndërsa zotëronte një pasaportë me identitet të rremë. Pas identifikimit, polica e ka shoqëruar atë për në Burgun e Metrisit në Stamboll.

Tiranë

Diplomohen 24 oficerë të Njësisë Antiterror

24 oficerë policie i bashkohen Njësisë Antiterror në vend. Një kurs trajnimi financuar nga Ambasada Amerikane ka mundësuar krijimin e një njësie të aftë të përballojë veprimtaritë terroriste në vend. Të 24 policët e certifikuar dje në prani të ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe zëvendësambasadores amerikane Deborah Jones do të jenë të aftë të identifikojnë informatorë potencialë, të përdorin survejimet për të gjetur vendndodhjen e terroristëve, vendet e grumbullimit të tyre, të intervistojnë të dyshuar dhe dëshmitarë në hetime që kanë lidhje me terrorizmin, të kuptojnë metodat e financimit të tij.

Tiranë

Ndërrohet komanda e delegacionit ushtarak italian

Gjeneral Aldo Piccoti ka lënë detyrën pas 3 vjetësh në krye të Delegacionit italian të eksperteve në Shqipëri, gjeneral Aldo Piccoti. Nga dje detyra do të mbahet nga kolonel Diego Regali. Ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës është zhvilluar dje në Universitetin Ushtarak “Skënderbej” në Tiranë, ku të pranishëm ishin ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe përfaqësues të lartë të Forcave të Armatosura shqiptare dhe asaj italiane. Në këtë ceremoni u bë dorëzimi i Medaljes së Artë të Shqiponjës dhënë nga Presidenti i Republikës, gjeneral major Paskuale Preciozes, si dhe medalja “Për Shërbime të Shquara” dhënë gjeneral Aldo Piccotit.

19 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›