Berluskoni: “Nuk kam informacion për statusin e Shqipërisë në BE”
Silvio Berluskoni, një nga kryeministrat europianë të cilin kryeministri shqiptar Sali Berisha e konsideron si një ndër miqtë e tij, duket se nuk është i informuar mbi hapat e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe as mbi vështirësitë që po has vendi për shqyrtimin e aplikimit për statusin e kandidatit. Në përfundim të Samitit të jashtëzakonshëm të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së që u zhvillua në Bruksel, i pyetur nga televizioni “Top Channel” se çfarë po e bllokon diskutimin teknik mbi kërkesën e Shqipërisë, Silvio Berluskoni përgjigjet fillimisht se nuk është në dijeni. Ndërsa pas pyetjes se a është në dijeni që Gjermania përflitet si vendi kryesor që ka bllokuar për momentin shqyrtimin teknik, një nga këshilltarët i sugjeron kryeministrit italian të dalë nga situata duke i pëshpëritur në vesh fjalën “po punojmë”. “Ne po punojmë që integrimi i Shqipërisë të vijë dhe sa më shpejt të jetë i mundur”, - u shpreh Berluskoni. Italia është realisht një prej mbështetëseve kryesore të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian.
19 Shtator 2009