E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë, draft për të siguruar tokë për ish-pronarët

Tokat në bregdet, rastet kur do t’u merren poseduesve për të kaluar për llogari të shtetit. Investimet, bum falsifikimesh me dokumentet për të marrë titullin e pronësisë

Laureta Rryçi

Tiranë - Drejtoria e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë ka nisur përgatitjen e draftit për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Burime pranë këtij dikasteri shpjeguan dje për gazetën “Albania” se specialistët po hartojnë legjislacionin e duhur për të kaluar për llogari të kompensimit të ish-pronarëve të gjitha ato troje të lira që do të jenë përgjatë bregdetit. Të njëjtat burime shpjeguan më tej se kjo nismë ligjore nuk është asgjë më shumë veçse hedhja në letër e deklaratave të disa muajve më parë të kryeministrit Sali Berisha. Ky i fundit ka deklaruar se në brigjet turistike të deteve dhe liqeneve janë identifikuar mijëra hektarë dhe territoret për këtë qëllim janë bregu i Adriatikut, një pjesë e bregut jonian dhe dy liqenet, ai i Shkodrës dhe Pogradecit. Pas kësaj pritet të bëhet një shqyrtim edhe për zonën jashtë Parkut Kombëtar të Dajtit dhe malit të Priskës.
Kryeministri ka thënë gjithashtu se sipërfaqet e identifikuara janë verifikuar me të gjithë dokumentacionin e duhur si troje publike, çka lejon më tej përcaktimin e procedurës së transferimit e shpërndarjes së tyre.
Drafti
Me hartimin e këtij drafti dhe përballjen me situatën që është konstatuar në terren, është vërejtur se ekzistojnë edhe troje të tjera, të cilat mund të përfshihen në listën e pronave për ish-pronarët. Për shkak të investimeve përgjatë bregdetit, mjaft qytetarë kanë shfrytëzuar rrugë joligjore duke falsifikuar dokumente për të deklaruar se janë pronarë. Pasi të kalojnë në sitë këto dokumente pritet që këto toka do të kalojnë fillimisht për llogari të shtetit dhe më pas për ish-pronarët. Këto ndryshimet do të përfshihen edhe në ligjin e ri që po bëhet po nga kjo drejtori për fshatrat turistikë. Kjo duket si një nga alternativat më të mira për të mundësua sa më parë rikthimin e pronave për ish-pronarët.
Verifikimet
Ndërsa drafti po hartohet nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë, Komisionet e Verifikimit të Titujve të Pronësisë e kanë nisur punën edhe për pronat në bregdet, pikërisht për të seleksionuar troje të kësaj natyre, që do të shërbenin për të zbatuar në praktikë draftin në fjalë. Burime nga Ministria e Bujqësisë patën deklaruar vetëm pak ditë më parë se për pronat që janë përgjatë vijës bregdetare ka më shumë kontestime, gjë që e ka detyruar qeverinë që të rishohë të gjithë dokumentet e pronësisë. Shumë shpejt pritet që të futen në sitë të gjitha pronat në zonat turistike. Ato do t’u nënshtrohen të njëjtave procedura si dhe pronat e tjera në truall apo tokë bujqësore, për të cilat ka më shumë se një pronar. Burimet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë bëjnë të ditur se në rastet kur do të vërtetohet se titujt janë marrë në kundërshtim me ligjin, shteti do t'i kërkojë poseduesit të tokës që ta blejë atë me çmimet e tregut. Vetëm në këtë mënyrë ai do të mund të këtë tapinë. Por, sipas MBUMK-së, një leje e tillë do të jepet në ato raste kur për tokën e zënë në kundërshtim me ligjin nuk ka konflikte të hapura. Nëse personat nuk do të pranojnë ta blejnë tokën e zënë, atëherë automatikisht, në bazë të ligjit, ajo do t'iu merret. Kjo procedurë parashikohet të kryhet brenda një periudhë 3-vjeçare.

Shoqata e ish-pronarëve i sheh me mosbesim draftet e qeverisë

Pas deklaratës publike të kryeministrit Sali Berisha, të parët që u treguan skeptikë ishin vetë ish-pronarët. Nëpërmjet drejtuesve të shoqatës që përfaqëson të pretendimet e tyre u deklarua se edhe drafti për “Fshatrat turistike” nuk ishte draft për interesat e tyre, por për të tjerë persona që s’kishin lidhje me pronarët e vjetër.

Drafti do të përcaktojë kriteret për ndarjen e tokës

Drafti që po hartohet aktualisht pritet që të përcaktojë njëherë e mirë edhe kriteret se si do të bëhet kompensimi fizik për ish-pronarët. Në fillim të këtij viti, zëdhënësja e qeverisë pati deklaruar se qeveria po punonte mbi hartimin e projektligjit, i cili do të përcaktojë mënyrën e ndarjes së tokës në zonat turistike dhe kriteret që duhet të përmbushin përfituesit. “4000 hektarët e parë të identifikuar në Ultësirën Bregdetare të Adriatikut, si dhe në brigjet e liqenit të Shkodrës dhe të Ohrit, do të vihen në dispozicion të procesit të kompensimit të pronarëve. Nga grupi ad-hoc i ngritur për të identifikuar tokat publike në zonat turistike, të cilat do të përdoren për kompensimin e pronarëve, përveç 4000 ha tashmë të përvijuar, deri tani janë në përfundim të procedurave të verifikimit edhe 2000 ha të tjerë të mundshëm në vijën bregdetare të Shqipërisë. Në ditët që vijojnë do të konkretizohet një paketë e re aktesh nënligjore në bazë të së cilës do të shpërndahen trojet për kompensim”, - pati deklaruar Bregu. Pikërisht legjislacioni për të cilin fliste Bregu mësohet se do të jetë gati për një kohë të shkurtër për t’i kaluar për miratim qeverisë së re.

19 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›