Kryeministri Berisha pret ambasadorin e Turqisë në Tiranë, Hasan S. Ashan
Kryeministri Berisha priti dje në takim Ambasadorin e Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të Republikës së Turqisë në Tiranë, Hasan S. Ashan, me rastin e marrjes së detyrës së tij në Tiranë. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike ndërmjet dy vendeve dhe qeverive dhe miqësinë e ngushtë e tradicionale që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij turk. Duke e falënderuar kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore, ambasadori Ashan i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta e miqësore të kryeministrit Erdoan dhe vlerësoi se marrëdhëniet politike ndërmjet qeverive të dy vendeve tona janë mëse të shkëlqyera. Meritë të veçantë për këtë ka edhe miqësia e ngushtë e kryeministrit Berisha me kryeministrin Erdoan, si edhe kontributi i jashtëzakonshëm i kryeministrit Berisha për të konsoliduar, thelluar e zgjeruar edhe më tej miqësinë e bashkëpunimin me Turqinë dhe popullin mik turk. Në takim u vlerësua zgjerimi i ndjeshëm i marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve gjatë katër viteve të fundit, në veçanti investimet turke në Shqipëri, të cilat shënuan një rritje nga 130 milionë dollarë në 2005-n, në 860 milionë dollarë në fund të këtij mandati. Ambasadori Ashan falënderoi kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për reformat për krijimin e një klime më të përshtatshme për biznes dhe investime, duke theksuar se sot në Shqipëri zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik e tregtar rreth 3 mijë investitorë e biznesmenë turq. Në përfundim të takimit, të dy personalitetet ripohuan se forcimi dhe promovimi i miqësisë tradicionale dhe lidhjeve të ngushta midis dy vendeve e popujve tanë miq, zgjerimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe të shkëmbimeve tregtare dhe në të gjitha fushat e tjera do të vazhdojë të bëjë përparësi në marrëdhëniet midis dy vendeve, për të cilat palët mbeten tërësisht të angazhuara t’i çojnë edhe më tej.
19 Shtator 2009